Ligji për Kontrollin e Duhanit nuk po respektohet nga qytetarët. Ky ligj ndalon konsumimin e duhanit në vende publike, po shkelet përditë edhe në Prishtinë. Lokale të shumta e lejojnë hapur konsumimin e duhanit për konsumatorët, ndërsa nuk marrin asnjë gjobë nga institucionet që merren me monitorimin e respektimit të këtij ligji, i cili i plotësuar dhe amandamantuar, ka hyrë në fuqi më 22 maj të vitit 2013.
Fillimisht vullneti i qytetarëve dhe lokaleve ka qenë që të respektohet në masë të madhe, por me kalimin e kohës, kur kanë parë joseriozitetin e institucioneve përkatëse, ka filluar më të madhe konsumimi i duhanit nëpër lokale të mbyllura publike.
Tesheshi.com ka bërë një monitorim se sa po respektohet ligji në fjalë nga lokalet në Prishtinë dhe ka parë se një pjesë e madhe e lokaleve nuk e respektojnë fare Ligjin për Kontrollin e Duhanit.
Gjatë këtij monitorimi, është vërejtur se në Prishtinë në lokalet që konsumohet duhani janë ato në lagjen “Dardania” përkatësisht në zonën të “Santea”. Në këtë zonë pothuajse të gjitha lokalet nuk e respektojnë ligjin. Pjesa tjetër e lokaleve që lejojnë konsumimin e duhanit janë ato afër Qendrës së Studentëve. Por edhe në lokalet që gjenden në qendër afër sheshit “Nënë Tereza” konsumohet duhani vazhdimisht. Por në këtë pjesë ka edhe lokale të cilat e respektojnë Ligjin për Kontrollin e Duhanit. Pronarët e këtyre lokaleve ankohen për konkurrencë të pabarabartë, sepse ata që nuk e respektojnë ligjin kanë më shumë klientë. Njëri nga pronarët e një lokali që gjendet afër sheshit “Nënë Tereza”, ka thënë për tesheshi.com se për shkak se nuk lejon konsumimin e duhanit në kafene, iu ka zvogëluar numri i klientëve.
“Kjo nuk është e drejtë, ne që po e respektojmë ligjin po dëmtohemi, ndërsa ata që po e shkelin vetëm po fitojnë më shumë. Disa nga lokale nuk kanë pasur klientë pothuajse fare, por prej që po e lejojnë pirjen e duhanit, lokalet e tyre janë plotë. Shembulli konkret është lokali i njërit prej zyrtarëve të LDK-së. Ai nuk i ka pasur as pesë klientë, kurse tani nëse shkon aty nuk ke vend ku të ulësh”, thotë ai.
Ndërsa në qytetet tjera, ky ligj pothuajse nuk respektohet fare. Në një raport që është publikuar nga Qendra Kosovare për Zhvillim dhe Avokim (KADC), thuhet se në qytete të vogla shkelet ligjin më shumë se në qytetet e mëdha. Në këtë raport ku përfshihen rezultatet e monitorimit të komunave Prishtinë, Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj dhe Gjilan, thuhet se shkeljet më të mëdha të këtij ligji bëhen në restorante, kafene dhe klube të natës, ndërsa shkelësit më të mëdhenj janë të rinjtë.
Tendencat e pasuksesshme të institucioneve
Edhe pse ka një bashkëpunim të disa institucioneve për zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit, sukseset po mungojnë. Edhe inspektorati i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka një rol të rëndësishëm në këtë aspekt, pasi që inspektorët e saj janë në terren dhe e kanë obligim të bëjnë inspektime dhe monitorimin e zbatimit të ligjit në fjalë.
Lamir Thaçi zyrtar për informim i AUV-së, ka thënë për tesheshi.com se në terren bëhen shumë inspektime, jepen shumë vërejtje dhe shqiptohen gjoba, por sipas tij problemi është zinxhiror, sepse ato lëndë nuk po trajtohen nga gjykatat, duke marrë parasysh numrin e madh të lëndëve që gjykatat i kanë në pritje.
“Inspektorati Sanitar në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit, Këshilli Ndërministror si dhe grupin në përbërje të OBSH, KADC, zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, Inspektorëve sanitarë dhe Shëndetësorë, Shefin e Operativës së Policisë së Kosovës bën inspektimin e subjekteve afariste hoteliere për zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit. Ky bashkëpunim ka rezultuar me efekte pozitive dhe vetëdijësuese për subjektet afariste dhe qytetarët me theks të veçantë në Kryeqytet . Duke e parë përkushtimin e Inspektorëve Sanitarë dhe Policisë së Kosovës në zbatim e këtij ligji, janë organizuar aksione edhe pas orës 16:00, kur përfundon orari i rregullt i punës, sepse në disa vende shkelej ligji vetëm në orët e mbrëmjes. Mirëpo këto vetëm kanë mbetur si lëndë të dërguara në gjykatë dhe jo të shqyrtuara”, thotë Thaçi.
Ai thotë se disa nga vërejtjet që ka dhënë inspektorati kanë të bëjnë me faktin se mos shqyrtimi i lëndëve nga gjykata e ka vështirësuar zbatimin e ligjit , sepse ka shkelës permanent dhe për disa herë u janë dërguar fletëparaqitje në gjykatë, ndërsa atij nuk i është shqiptuar dënimi nga gjykata, ndërsa vazhdon ta shkelë ligjin.
“Një nga vështirësitë që hasen në inspektimin e lokaleve është edhe numri i vogël i inspektorëve, sepse numri i Inspektorati Sanitar Qendror është vetëm 10. Ndërsa, numri i Inspektorëve Sanitar Komunal është 42. Por ka pasur raste të shumta që i kemi dërguar në gjykatë. Deri me tani numri i përgjithshëm i fletëparaqitjeve është 245”, theksoi Thaçi.
Vetë e bëjnë ligjin, vetë e shkelin
Ligjin për Kontrollin e Duhanit nuk e respektojnë as vetë deputetët, si dhe zyrtarët e tjerë qeveritarë. Ka pasur raportime të shumta dhe janë incizuar deputetët duke pirë duhan në korridorin e Kuvendit të Kosovës apo edhe në restorantin e qeverisë. Ky fakt tregon një shembull të keq për pjesën tjetër të shoqërisë.
Por edhe më e keqja është se restorantet dhe kafenetë, nuk guxojnë që t’u kërkojnë zyrtarëve qeveritarë të mos pinë duhan. Rasti i fundit ishte javën e kaluar, kur është gjobitur ministrja pa portofol e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri me 50 euro për shkelje të ligjit në një restorant. Por më se keqi e ka pësuar pronari i lokalit që është dënuar me 3000 euro. Ai ka thënë për “infokusin” se nuk e ka në plan ta paguajë këtë dënim, sepse sipas tij, ai i ka vendosur shenjat që ndalohet pirja e duhanit, por që nuk janë përfillur.
“Nga dera e hyrjes dhe brenda në disa vende është shenja ndalohet pirja e duhanit. Çdo klient i yni e di këtë dhe nuk ka ndodhur asnjëherë që dikush të konsumojë duhan brenda. Jemi lokal i njohur dhe kemi për klientelë familjarët, prandaj nuk ndodhë që dikush të bëjë veprime të tilla, përveç këtyre të pushtetit. Këtyre njerëzve të politikes që vetë e bëjnë ligjin dhe vetë e shkelin, nuk ke çka u bën”, ka thënë ai.
Këto raste kanë shqetësuar dhe inspektoratin e AUV-it. Zëdhënësi i saj Lamir Thaçi, ka thënë për tesheshi.com se ka raste të tilla kur zyrtarët e lartë e shkelin ligjin, në vend që të jenë ata të parët që duhet ta respektojnë.
“Sfidë është edhe moszbatimi i ligjit nga zyrtarët e lartë të shtetit, kjo në shumë raste ka ndikuar negativisht para të tjerëve, si praktikë e keqe për mosrespektim të ligjit”, thotë Thaçi.
Ligji për Kontrollin e Duhanit përcakton sanksione rigoroze për ata që e shkelin. Me ligj është e paraparë që personi fizik dënohet me 50 euro, personi përgjegjës i lokalit me 500 euro dhe biznesi nga 3000 deri në 5000 euro, por këto masa duhet vetëm të ekzekutohen dhe atë njëjtë për të gjithë. /tesheshi.com/