Në faqen e malit në anë të Krujës, vitet e fundit u konsumua një ndër krimet më të mëdha ambjentale, ku nga rrjepja që shkaktuan guroret për llogari të Fabrikës së Çimentos, u krijua një ndër panoramat më të shëmtuara, edhe faqe botës, meqë afër saj ulen e ngrihen avionët që na lidhin me të.
Veç Skënderbeut, Pazarit karakteristik dhe “pleqve” të këngës krutane, Kruja ka qenë e njohur historikisht si ndër zonat më aktive në kultivimin e llojeve të ndryshme të pyjeve dhe konkretisht të pishave, por që dora e njeriut, prej 25 vitesh ka dëmtuar seriozisht këtë pasuri të rrallë natyrore.
E njohur si kurora e gjelbërt në Krastë, një fshat në rrugën nacionale Fushë Krujë – Krujë, teksa do të udhëtoje në drejtim të qytetit historik të Skënderbeut, pamja e rrallë e pishave dhe freskia e natyrës ishin mbresat e para për turistët vendas dhe ata të huaj kur ngjiteshin në Krujë për të vizituar Kalanë e saj historike.
Në të dy anët e rrugës, pyjet e larta disavjeçare të pishave formonin një rrugë thuajse si një tunel të gjelbërt ndërsa shijoje këtë mrekulli mjaft magjepsëse. Specialisti i pyjeve Muharrem Loka, tregon se me ç`përkushtimin është punuar ndër vite për t`i ruajtur e pasuruar pyjet. Asokohe, tërë rrethi i Krujës ishte i njohur për shumllojshmërinë e drurëve por konkretisht druri i pishës ishte më i veçuari, ndërkohë që përkujdesja ishte dhe më e madhe.
Për çdo sezon – tregon ai – mbjellja e fidaneve të pishave ishte përparësi në interes dhe të ekonomisë, ndaj përkushtimi ishte shumë i madh duke hapur vende të reja në majë mali në shfrytëzimin e mbjelljen e fidaneve.
Jo vetëm Krasta e Krujës, por një sërë fshatra të malësisë ishin prioritet në mbjelljen dhe kultivimin e disa lloje pyjeve, ndërsa sot panorama është ndryshe. Dhe po ajo dorë njeriu që u përkujdes për këtë pasuri, e shtoi atë në vite, erdhi një ditë dhe e katandisi si mos më keq. Dërrmën ia dhanë dhe furrat primitive të gurëve gëlqerore, që edhe ajrin e ndotën keq. Edhe pse kundër tyre ka patur një angazhim vetë kryeministri Rama, ndodh që fenomeni vijon ende në disa skuta, duke i shpëtuar syrit të atyre që kanë detyrën të ndalojnë.
Nga sa është mësuar prej drejtorit aktual të Pyjeve në Krujë, janë disa fshatra që kanë si prioritet zhvillimin e sipërfaqeve me të mbjella në dru halor. Në malësinë e Krujës gjatë këtij viti janë mbjellë rreth 80 ha me fidane dhe janë në prioritet të tjera sipërfaqe për t’u mbjellë në vjeshtën e këtij viti.
Po a do mund të rikthehet sërish ajo panoramë piktoreske si disa vite më parë kjo kurorë e mrekullueshme?
Duhet kohë dhe përkushtim, por mbi të gjitha duhet shtet që t`i tregojë dhëmbët çdokujt që e cënon sado pak natyrën. Pra, pyetja që duhet shtruar është: shtet kur do kemi? Dhe ditën që e do kemi, patjetër që do kemi dhe gjelbërimin e dikurshëm, pyjet e çmuara. /tesheshi.com/