Nga Ylli Pata
Pas tmerrit të së enjtes, Tirana po përjeton dy ditë të qeta në trafikun e automjeteve. Rrugët kryesore të kryeqytetit, edhe pse në orare të caktuara kanë fluks, trafiku në këtë mot të keq nuk është i stërmundimshëm.
Një ndikim natyrisht kanë dhënë edhe pushimi i shkollave, që ngarkojnë në kohë të catuar trafikun. Megjithatë, në një ditë krejt banale shiu, trafiku i Tiranës në ditë të zakonshme, por edhe fundjavë kthehej në një irritim për qytetarët që kanë makina, por edhe ata që hipin në autobuzët publikë. Duhej mbi një orë e gjysëm për të përshkruar një intinerar fare normal, si për shembull nga 21 Dhjetori në QSUT.
Dita e djeshme dhe e sotmja kanë sjellë një fenomen të ri në Tiranë: të djegur nga “qulli” i tmerrit të së enjtes, ku njerëzit qëndruan mbi 5 orë në trafik, ata që “shkojnë edhe të blejnë bukë me makinë” i “kanë fryrë edhe kosit” dhe nuk i kanë nxjerrë automjetet, përveçse kush e ka të domosdoshme.
Kjo ka sjellë realisht frymëmarrjen e Tiranës, që duke dhënë një shembull nga secili, në fund u prodhua një rezultat lehtësues për të gjithë. Një trafik normal krijon mundësitë që ata të cilët e kanë të domosdoshme për të lëvizur me automjet( kryesisht për të transportuar fëmijët e vegjël dhe të moshuarit, apo edhe telashe të tjera njerëzore), të mos u kthehet dita në kalvar.
Në fund u dha një shembull pas apeleve të shumta të Erjon Veliajt, që trafiku lehtësohet ngaqë shumë vetë përdorin makinën edhe kur nuk e kanë të domosdoshme. Por kjo situatë ka “nxjerrë lakuriq” Bashkinë e Tiranës dhe kryebashkiakun e saj për transportin publik. Dita e djeshme ishte më e përshtatshmja për ta inspektuar se cila linjë e kryeqytetit ishte brenda parametrave, pasi trafik nuk kishte.
Linja Kombinat-Konostudio, e cila administrohet nga një kompani e njohur, vazhdon të jetë më ekselentja në Tiranë. E lincensuar nga Lulzim Basha kur ishte kryetar bashkie, kjo linjë ka të gjitha parametrat e një linjë transporti europiane. Vjen çdo 3 minuta dhe të dërgon në destinacion brenda çdo mundësie normale. Por kompania që menaxhon linjën Kombinat-Kinostudio ka edhe një favor, pasi duke pasur fluksin më të madh në Tiranë i ka të siguruara fitimet.
Ka edhe linja të tjera, që edhe pse nuk kanë fluksin e Kombinatit kanë arritur të sigurojnë një lëvizje nomrale. Megjithatë operatorët që vazhdojnë të jenë “ferri” për qytetarët e Tiranës, janë ai i Unazës, linja e Yzberishtit dhe e Kasharit. Unaza është një nga më kryesoret dhe ka një fluks jashtëzakonisht të madh.
Por të hipësh në autobusët kësaj e linje (që menaxhohet nga kryetari i shoqatës së transporteve dhe një nga biznesmenët kryesorë shqiptarë) është një ankth e stërmundim. Gjithmonë autobusë të mbushur dingas dhe njerëzit që ngjiten si sardele në kutinë e konservuar. Vijnë jo shpesh dhe ndalen në stacione të ndërmjetme me minuta të tëra. Nuk ka as disiplinë e as rregull.
E njëjta situatë me Yzberishtin, një nga zonat ku jetojnë mbi 100 mijë banorë. Nxënësit dhe të rriturit që shkojnë në punë nga Yzberishti, përjetojnë çdo ditë mëngjese mbistresuese: vrapojnë 3 kilometra për të kapur autobusët e Kombinatit, se linja e Yzberishtit vjen çdo 1 orë, por edhe kur vjen është e tejmbushur.
Nisja e një fenomeni që u vu re dje në Tiranë, që ishte mosdalja me makina, i ka “pasuar topin” direkt Erion Veliajt. Kryebashkiaku tani ka shansin e detyrimin për të vënë dorë mbi linjat e transportit urban. Në tre vjet të mandatit të tij, Veliaj vetëm ka shtuar linja, ç’ka do të thotë se ka liçensuar biznesmenë më kontrata, ndërsa nuk është vënë dorë fare në cilësinë e shërbimit, megjithëse çmimi u rrit; madje flitet se po përgatitet një shtim tjetër.
Ku shkojnë gjithë këto milarda lekë xhiro e përditshme? Justifikimet dhe qarjet e operatorëve se dalin me humbje janë një skandal i vërtetë. Nëse kanë humbje, pse nuk largohen apo të ndajnë investimet me të tjerë por qëndrojnë në pozita oligopol? Kur i morën linjat e kryeqytetit nuk hynë në garë por ishin të privilegjuarit; tani ose t’i mbajnë ose t’i lënë. Është vrastare të tallen njerëzit me përsëritjet e së njëjtës gjë çdo ditë…/tesheshi.com/