Portieri i Juventusit, Gianluigi Buffon, një ikonë e futbollit italian, europian, e madje dhe botëror, do të luajë të shtunën ndeshjen e fundit me bluzën e ekipit torinez.
Kampionët e Serisë A do ta kenë për herë të fundit në portë ndaj Veronës 40-vjeçarin që shkroi historinë me ta.
Pasi ka luajtur për 17 vite me Juventusin, me nëntë tituj të fituar të kampionatit italian, Buffon ka lajmëruar në një konferencë shtypi se do ta lërë ekipin, me një të ardhme ende të paqartë përpara.
“Të shtunën do të luaj ndeshjen e fundit me Juventusin, pastaj për dy apo tre ditë do të mendoj qetësisht…”
Ai e ka lënë gjithsesi një mundësi të hapur për të luajtur diku tjetër.
“Tërheqja ime dukej e qartë pesëmbëdhjetë ditë të shkuara, por ditë më parë mora disa oferta interesante në fushë dhe jashtë saj…”
Buffon e ka përjashtuar megjithatë mundësinë që të luajë për një ekip tjetër italian, qoftë dhe për Parmën, bluzën e së cilës e pati veshur para se të transferohej te Juventusi në vitin 2001 për një shifër rekord.
Me një karrierë 23-vjeçare, Buffon besohet se do të aktivizohet dhe për ca kohë diku tjetër. Sipas zërave të shtypit sportiv, një destinacion i mundshëm është Liverpuli, skuadra angleze që do të luajë pas pak ditësh në finalen e Champions League-s. /tesheshi.com/