Duke parë se buxheti i shtetit po dëmtohet çdo muaj me dhënien e pagave të veteranëve mashtrues, Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se pas hetimeve, që do të zhvillohen lidhur me rastin e njohur si “lista e veteranëve të UÇK-së”, do të propozohet një aktakuzë, e cila do t’i dërgohet gjykatës që atyre t’iu ndërpriten pagat.
Këtë e ka konfirmuar prokurori Sylë Hoxha, i ngarkuar për komunikim me media.
“Aktakuza nuk ka qenë e kompletuar nga prokurori Elez Blakaj. Kjo aktakuzë do të plotësohet, dhe në atë plotësim të aktakuzës në rastin e dorëzimit, do të kërkohet nga gjykata një gjë e tillë. Pra, Prokuroria ia propozon gjykatës pezullimin e atyre pagave të veteranëve për ata njerëz, të cilëve nuk iu takon”, deklaroi Hoxha për Radio “Evropa e Lirë”.
Kurse anëtari i Komisionit për veteranët e UÇK-së, Shkumbin Demaliaj, njëherësh deputet nga radhët e AAK-së, thotë se do të ishte shumë e dëmshme që të ndërmerren veprime nga Prokuroria apo gjykata për ndërprerjen e pagesave, pa përfunduar të gjitha proceduarat hetimore.
“Nëse është dikush që gëzon këtë status jo meritor, duhet t’i ndalet pagesa dhe t’i kthejë ato para. Por, përderisa nuk është dhënë një vlerësim dhe nuk është gjykuar procesi, është e parakohshme të thuhet, të bisedohet dhe të merren vendime të tilla lidhur me këtë çështje. Është shumë e dëmshme që të ndërmerret një masë që të ndërpriten pagesat”, tha Demaliaj.
Kurse Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit të Financave pohon se çështja ndërprerjes së pagesave për atë kategori, që siç dyshohet mund të ketë pasur manipulime me fitimin e statusit të veteranit, është punë e sistemit të drejtësisë.
“Është çështje që nuk varet nga ekzekutivi. Kryekëput varet nga çështja e organeve të drejtësisë, siç është gjykata, e cila vendosë me aktgjykim ose me aktvendim, varësisht nga kontesti”, shpjegoi Rafuna.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, për shtatë muajt e parë të këtij viti për këtë kategori janë ndarë më shumë se 44 milionë euro.
Sipas dokumenteve të kësaj ministrie që i janë dërguar Radios Evropa e Lirë, vërehet se për çdo muaj është rritur numri i përfituesve, rrjedhimisht edhe shuma e ndarë e mjeteve financiare.
Në muajin janar nga kjo skemë kanë përfituar 36,794 veteranë me një vlerë rreth 6.3 milionë eurosh, kurse në muajin korrik numri përfituesve është rritur në 37.771, për të cilët nga buxheti janë ndarë rreth 6.4 milionë euro. /tesheshi.com/