Kryeministri Rama u përcolli një mesazh të paekuivok të gjithë atyre që do studiojnë mjekësinë në shtet, duke u thënë se diplomën do e marrin pas pesë vitesh shërbim ndaj popullit, atij që iu mundësoi shkollimin me taksat e tij.
“Sot dola për të dhënë një mesazh lidhur me një vendim të rëndësishëm të qeverisë sot që ka të bëjë me studentët e mjekësisë dhe me detyrimin për të shërbyer në vend për një kohë të caktuar. Detajet do t’i shpjegojnë ministret, por thelbi është shumë i qartë për çdo qytetarë të Republikës së Shqipërisë që paguan taksa”, theksoi Rama, duke shtuar:
“Shteti e financon universitetin publik në këtë rast formimin e mjekëve të rinj për të mbrojtur jetën dhe për të garantuar shëndetin e të gjithë qytetarëve të vet. Nuk është njësoj si profesionet e tjera është një profesion i lidhur drejtpërdrejt me detyrimin e çdo shteti për t’u kujdesur për shëndetin e njerëzve dhe me të drejtën e çdo qytetari e familje, fëmije e të moshuari për të pasur kujdes shëndetësor”.
Sipas tij, ky vendim qeveritar është i pashmangshëm dot.
“Në kushtet kur Gjermania e vendet e tjera të pasura janë duke luftuar me demografinë e tyre, me plakjen e popullsisë, me nevojën për burim të freskët njerëzor që duhet të vijnë nga jashtë dhe kur janë bërë stacioni i ndalesës së fundit për shumë profesionistë dhe për shumë njerëz të kualifikuar të të gjitha fushave dhe në këtë rast për mjekët, ne e kemi absolutisht të domosdoshme të ndërmarrim këtë hap që është hapi më normal dhe më i lehtë i mundshëm”.
Më konkretisht, siç tha kryeminsitri, “çdo student i mjekësisë që do të hyjë në Universitetin e Mjekësisë duhet të njihet me faktin që mjekësia studimet i ka aq sa janë dhe pastaj për t’u pajisur me diplomë duhen edhe pesë vjet në shërbim të këtij populli. Për ata që janë në proces, vitet janë më të ulëta, të përshkallëzuara.
Nëse duan të studiojnë mjekësi në universitetin publik duhet të pranojnë këtë kusht dhe nuk është një kusht, por është formati i ri i Universitetit të Mjekësisë.
Për sa i përket marrjes së diplomës nuk ndryshon asgjë, sa i përket të drejtës dhe ushtrimit të profesionit se ajo fillon pas pesë viteve, duhet të bëhet këtu, prandaj paguan populli shqiptar taksa”. /tesheshi.com/