Australia do t’i detyrojë gjigantët e teknologjisë si Facebook dhe Google të paguajnë median lokale për lajmet e publikuara, me qëllim mbrojtjen e gazetarisë së pavarur.
Me këtë veprim, ky vend bëhet i pari që u kërkon kompanive të internetit që të paguajnë shtëpitë e mediave për përmbajtjen e gazetave, sipas një modeli të ngjashëm me të drejtat e autorit, dhe kjo do të rregullohet me ligj këtë vit.
Masa erdhi pasi gjigantët filluan të mbroheshin kundër rregullave më të rrepta në të gjithë botën, dhe një ditë pasi ligjvënësit amerikanë në një seancë kongresi sulmuan Google dhe Facebook për abuzimin e fuqisë së tregut.
Pasi shqyrtoi tregun e mediave dhe fuqinë e platformave amerikane, në fund të vitit 2019, qeveria australiane u kërkoi këtyre dy kompanive të negociojnë me shtëpitë e mediave në lidhje me përdorimin e përmbajtjes së tyre.
Megjithatë, negociatat nuk kanë sjellë fryte, kështu që Canberra njofton se nëse nuk arrihet një marrëveshje në arbitrazh brenda 45 ditësh, Agjensia Australiane për Komunikim dhe Media do të bëjë detyrime ligjore në emër të qeverisë.
Google thotë se rregullorja injoron “miliarda klikime” që u dërgon mediave australiane çdo vit.
Siç thanë ata, kjo dërgon një mesazh shqetësues për kompanitë dhe investitorët se qeveria më mirë do të ndërhynte sesa ta linte tregun të funksionojë. /tesheshi.com/