Vazhdon suksesi i shfaqjes “Suor Angelica e Gianni Schicchi” . Dy vepra të njohura të Puçinit, që erdhën premierë në skenën e Teatrit të Operës dhe Baletit në datën 14 shkurt, nga artistët e nivelit botëror, Ermonela Jaho dhe Gëzim Myshketa.
“Suor Angelica” interpretohet nga sopranoja e mirënjohur shqiptare Ermonela Jaho, me regji të Marco Pucci Catena, muzikant, muzikolog dhe regjisor.
Triptiku puçinian ku interpreton soprano me famë ndërkombëtar, Ermonela Jaho, në vitin 2013 u vlerësua si DVD-ja më e mirë operistike, me çmimin “The International Opera Aëards”. Dirigjenti Sebastiano Rolli do të drejtojë Orkestrën Simfonike të TKOB-së, ndërsa Marco Pucci Catena do të kujdeset për regjinë e operas “Suor Angelica” . Opera “Gianni Schicchi” interpretohet nga baritoni i famshëm Gëzim Myshketa që realizon dhe regjinë. Myshketa ka debutuar me sukses në këtë opera në vitin 2011 në Teatrin Verdi, Trieste. Ermonela Jaho dhe Gëzim Myshketa alternohen me vokalët Irini Nikolla e Leonardo Galezzi, që do të interpretojnë si protagonistë në opera.
Opera “Suor Angelica” bazohet shumë në strukturën melodioze që vjen e rikthehet në forma të ndryshme në këtë opera. “Gianni Schicchi” është një opera komike, e njohur edhe pak cinike.
Është opera e fundit komike e Puccinit dhe e fundit në krijimtarinë e tij. Kjo opera është e bazuar mbi dialogun dhe mbi qelizat muzikore. Ndryshe nga “Suor Angelica” ku melodia është më romantike dhe më e shtrirë, në operan “Gianni Schicchi” qelizat e melodisë përshkrojnë një gjëndje shpirtërore që është në tranzicion.
Soprano me famë botërore, Ermonela Jaho dhe baritone i suksesshëm, Gëzim Myshketa kthehen në Shqipëri për të kënduar për shqiptarët, që të kontribuojnë edhe ata për vendin e tyre.
Kjo shfaqje realizohet në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës në Tiranë./Ministria e Kultures AL/