Kancelari austriak Sebastian Kurz la të kuptohet se si një përgjigje ndaj ardhjes së refugjatëve dhe migrantëve nga Turqia në Greqi, të gjitha kufijtë në Ballkan mund të mbyllen, duke kujtuar veprimet e ndërmarra gjatë krizës evropiane të migracionit 2015 dhe 2016.
Policia greke gjuajti gaz lotsjellës për të penguar qindra refugjatë dhe migrantë që arritën në kufirin me Turqinë të shtunën, pasi kriza në Siri po zhvendoset në pragun e vendeve anëtare të BE-së.
Ankaraja zyrtare ka paralajmëruar se nuk ka ndërmend të ndalojë qindra mijëra refugjatë pasi 33 ushtarë turq u vranë në sulmet ajrore nga forcat siriane në Idlib në veriperëndim të Sirisë.
“Ne jemi në kontakte të vazhdueshme me partnerët e BE-së dhe ata që kujdesen për rrugët në Ballkanin Perëndimor. Nëse mbrojtja e kufijve të jashtëm të BE-së dështon, Austria do të mbrojë kufijtë e saj,” tha Kurz.
Komentet e tij kujtojnë një përgjigje të ngjashme nga viti 2016, kur ai ishte ministër i Jashtëm.
“Një situatë si ajo në vitin 2015 nuk duhet të përsëritet absolutisht. Qëllimi ynë është të mbrojmë siç duhet kufijtë e jashtëm të BE-së, të ndalojmë migrantët e paligjshëm atje dhe jo t’i kalojmë ata”, tha Kurz.
Austria është e gatshme të dërgojë forca të tjera policore në disa shtete kufitare, tha kancelari austriak, me siguri duke iu referuar Greqisë dhe Bullgarisë. /tesheshi.com/