Këto kohë, Shqipëria është i vetmi vend në botë që nuk ka komandant ushtrie.
Kjo në aspektin operacional, pasi kryekomandant politik është Bujar Nishani, por ai nuk ka kodin e komunikimit me armatën.
Situata e pazakontë ka ardhur pasi kreu i shtetit nuk e ka rinovuar mandatin e Gjeneral Jeronim Bazos, të cilin vetë ia propozoi Kodhelit tre vjet më parë për të drejtuar ushtrinë.
Mungesa e kreut të ushtrisë është bërë problem edhe në Kuvend saqë kreu i Komisionit të Sigurisë ka kërkuar të ndërhyhet urgjent.
Kryetari i këtij komisioni, Spartak Braho e quan “problematike” mosdekretimin nga presidenti Nishani të Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura.
“Mosdekretimi i shefit të Shtabit të FA problematik. Përcilljani kryeministrit, Bashës, Berishës dhe presidentit shqetësimin. Vendi të mos mbetet pa shef shtabi të Forcave të Armatosura”
Kodheli në përgjigje u shpreh se “nuk ka marrë ende ndonjë njoftim zyrtar, por refuzimi i shkon kryeministrit.”
Presidenti Nishani e ka pasur Gjeneral Bazon si këshilltar të ngushtë dhe me një marrrëveshje xhentëllmenësh (edhe pse Kodheli është grua) kanë rënë dakord me ministrin e Mbrojtjes që në krye të ushtrisë të shkojë konsulenti i kryekomandantit.
Por sot Nishani nuk e do më ish-këshilltarin, madje ka bërë aktin që s’ka ndodhur ndonjëherë: e ka refuzuar.
Mandati i tij përfundoi dy javë më parë, kohë në të cilën një komision i përbërë nga gjeneralë vlerësoi se gjeneral major Jeronim Bazo mund të vazhdonte detyrën edhe për një mandat tjetër. Këtë propozim, Ministria e Mbrojtjes ia dërgoi kryeministrit, i cili i vuri firmën dhe i propozoi Presidentit të rifreskonte emërimin.
Publikisht, kreu i shtetit nuk ka dhënë asnjë shpjegim për refuzimin e ish-këshilltarit të tij të Mbrojtjes.
Por burime zyrtare konfirmojnë se Bujar Nishani nuk e ka dekretuar gjeneral major Jeronim Bazon për mosrespektim të Kushtetutës dhe shkelje të ligjit të komandimit zinxhir të Forcave të Armatosura. Sipas arsyetimit të Presidentit, shefi i Shtabit të Përgjithshëm gjatë 3 viteve të mandatit të tij të parë nuk ka raportuar asnjëherë tek Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Bujar Nishani, nuk i ka dërguar atij asnjë informacion, nuk ka kryer asnjë konsultim për dokumentat, planet apo strukturat e Forcave të Armatosura.
Një arsye tjetër për refuzimin e emërimit të Jeronim Bazos është se, sipas Presidentit, shefi i shtabit ka nxjerrë jashtë përdorimit të Forcave të Armatosura shumë prona të ushtrisë, pa marrë më parë miratimin nga Komandanti i Përgjithshëm, Bujar Nishani. Një detyrim që, sipas tij, është sanksionuar edhe nga një vendim i Gjykatës Kushtetuese.
Refuzimi i Presidentit për emërimin e shefit të Shtabit të Përgjithshëm nuk ka asnjë precedent dhe është e paqartë sesi do të zgjidhet tani ky konflikt i ri mes institucioneve. /tesheshi.com/