Fondi Ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara për fëmijë (UNICEF) kë emëruar refugjaten 19 vjeçare nga Siria, Muzoon Almellehan, për ambasadore të vullnetit të mirë, raporton Anadolu Agency.
Emërimi e bën Muzoon-in të jetë personi i parë me status zyrtar të refugjatit që bëhet një ambasadore për UNICEF-in.
Siç thuhet në kumtesën e publikuar nga UNICEF, Muzoon, të cilës organizata në fjalë i kishte dalë në ndihmë përderisa jetonte në kampin e refugjatëve Zaatari në Jordani, ndjek hapat e të ndjerës Audrey Hepburn, e cila gjithashtu si fëmijë ka qenë e ndihmuar nga UNICEF-i.
“Edhe në moshën fëmijërore e dija se arsimi ishte çelësi i të ardhmes sime, kështu që kur u arratisa nga Siria të vetmet gjëra që mora me vete ishin librat e mi të shkollës”, tha Muzoon.
“Si refugjat, pashë se çfarë ndodh kur fëmijët detyrohen në martesë të hershme ose në punë, ata humbasin arsimin dhe humbasin nga mundësitë për një të ardhme. Do të ndihmoj fëmijët që të rikthehen në shkolla. Kjo është arsyeja pse jam krenare që punoj me UNICEF-in për t’u dhënë fëmijëve një zë dhe t’i fus në shkollë”, tha ajo.
Zëvendës drejtori ekzekutiv i UNICEF-it, Justin Forsyth, tha se Muzoon Almellehan është ambasadorja e parë e vullnetit të mirë me status të refugjatit.
“Historia e Muzoon me shumë guxim dhe kurajo na frymëzon të gjithëve. Ne jemi shumë krenarë që ajo tani do të bëhet një ambasadore për UNICEF-in dhe fëmijët në mbarë botën”, tha Forsyth.
Almellehan Muzoon në vitin 2013 u largua nga Siria së bashku me familjen e saj duke jetuar si refugjat për tre vjet në Jordani, përpara se të rivendoseshin në Mbretërinë e Bashkuar. Gjatë 18 muajve të saj në kampin Zaatari, ajo filloi të jetë zëri i cili kërkonte qasjen e fëmijëve në arsim, veçanërisht për vajzat.
Së fundmi Muzoon ka udhëtuar me UNICEF-in në Çad, një vend me numër shumë të madh të vajzave të moshës së shkollës që mungojnë në procesin arsimor nga shkaku i konfliktit me Boko Haram./tesheshi.com/