Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi se do të flasë me presidentin rus Vladimir Putin për përfundimin e mundshëm të luftës trevjeçare në Ukrainë, pas rezultatit pozitiv të bisedimeve mes zyrtarëve amerikanë dhe rusë në Moskë.
“Unë do të flas me presidentin Putin të martën. Është bërë shumë punë gjatë fundjavës. Ne duam të shohim nëse mund t’i japim fund kësaj lufte. Ndoshta mundemi, ndoshta nuk mundemi, por mendoj se shanset janë të mira”, tha Trump gjatë një fluturimi nga Florida në Uashington. Trump do të përpiqet të marrë mbështetjen e Putinit për armëpushimin e propozuar 30-ditor që Ukraina pranoi javën e kaluar.
Kur u pyet se cilat lëshime mund të jenë objekt i bisedimeve me Putinin, Trump tha: “Ne do të flasim për territorin. Do të flasim për termocentralet… ne kemi diskutuar tashmë shumë gjëra në detaje me të dyja palët, Ukrainën dhe Rusinë. Ne tashmë po flasim për këtë, për ndarjen e burimeve të caktuara (ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, red.)”.
Sekretari amerikan i Shtetit Marco Rubio dhe ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov diskutuan më herët “hapat e ardhshëm” në armëpushimin e propozuar në Ukrainë, raporton Politico.
Për çfarë ranë dakord amerikanët dhe ukrainasit dhe si reagoi Putin?
Kujtojmë se në një takim të fundit në Jeddah, delegacionet amerikane dhe ukrainase ranë dakord për disa pika kyçe, duke përfshirë një armëpushim të përkohshëm që zgjat 30 ditë, me mundësinë e një zgjatjeje nëse Rusia dhe Ukraina bien dakord për të. SHBA konfirmoi gjithashtu vazhdimin e ndihmës ushtarake dhe të inteligjencës për Ukrainën, duke hequr një pauzë të mëparshme në dërgimin e ndihmës ushtarake dhe shkëmbimin e informacionit të sigurisë.
Duke reaguar ndaj këtyre marrëveshjeve, Vladimir Putin shprehu mbështetje të kujdesshme për propozimin e armëpushimit, por theksoi se nevojitet dialog shtesë për të siguruar paqen afatgjatë dhe “të adresohen shkaqet e konfliktit”. Pushtimi i Ukrainës, siç kujtojmë, u urdhërua nga Putin personalisht më shumë se tre vjet më parë.
Ai tha gjithashtu se Ukraina mund të përdorë armëpushimin për të mobilizuar dhe forcuar kapacitetet ushtarake dhe ngriti pyetjen se si do të monitorohet zbatimi i armëpushimit në vijën e frontit rreth 1300 kilometra të gjatë.
Rusia shpall kushtet kryesore për bisedimet e armëpushimit
Zëvendësministri i Jashtëm rus, Aleksandër Grushko, në një deklaratë për median ruse Izvestya mbrëmë, tha se Rusia do të kërkojë garanci nga vendet e NATO-s në negociatat e paqes se nuk do ta pranojë Ukrainën në aleancën e saj, domethënë se Ukraina duhet të qëndrojë neutrale.
“Ne do të kërkojmë që garancitë e hekurta të sigurisë të bëhen pjesë e kësaj marrëveshjeje. Një nga këto garanci është statusi neutral i Ukrainës, domethënë refuzimi i vendeve të NATO-s për të pranuar Ukrainën në aleancë,” tha Grushko.
Ata kundërshtojnë gjithashtu ardhjen e paqeruajtësve nga vendet e NATO-s.
Nënkryetari i diplomacisë ruse përsëriti qëndrimin e Kremlinit se ai kundërshton edhe ardhjen e ushtarëve nga vendet anëtare të NATO-s në Ukrainë si pjesë e një force paqeruajtëse ndërkombëtare pasi Franca dhe Britania e Madhe shprehën gatishmërinë e tyre për të dërguar ushtarët e tyre në një mision paqeruajtës që do të monitoronte armëpushimin.
“Nuk ka rëndësi se me çfarë përcaktimi mbërrijnë forcat e NATO-s në Ukrainë: qofshin ato të Bashkimit Evropian, NATO-s apo kapaciteteve kombëtare. Nëse ato shfaqen atje, do të thotë se ata janë dislokuar në zonën e konfliktit me të gjitha pasojat për ato kontigjente si palë në konflikt”, tha Grushko, duke shtuar:
“Ne mund të flasim vetëm për vendosjen e vëzhguesve të paarmatosur, një mision civil që do të monitoronte zbatimin e disa aspekteve të marrëveshjes ose mekanizmave të garancisë sapo të arrihet një marrëveshje. Deri atëherë, gjithçka është vetëm ajër,” tha ai. /tesheshi.com/