Pavarësisht shqetësimit për vendimin e Donald Trump që të përfshijë familjen në rrethin e ngushtë të Shtëpisë së Bardhë, ekspertët thonë se kritikët e një qëndrimi të tillë kanë pak mënyra, në mos asnjë, për ta ndaluar atë. Presidenti i zgjedhur, mësuar ndoshta me traditën e biznesit, ka mbajtur në ekipin e tranzicionit dy djemtë e tij të rritur, Donald Jr dhe Eric, sikundër edhe vajzën e vet Ivanka Trump.
Këto veprime së bashku me mbajtjen afër të këshilltarit të ekstremit të djathtë, Stephen Bannon, kanë ngritur shqetësimin për nepotizmin, etikën dhe sigurinë kombëtare. Ekspertët janë të shqetësuar se ai do të jetë i pakontrolluar në drejtimin e Shtëpisë së Bardhë.
Trump mundet fare mirë të injorojë thirrjet që i kërkojnë të ndryshojë qasje, thonë ekspertët, dhe kritikët kanë shumë pak opcione përpara vetes, madje edhe kur ai të marrë detyrën në Zyrën Ovale.
Të enjten, ekipi i tij i tranzicionit shpërndau fotografitë e takimit mes Trump dhe kryeministrit japonez, Shinzo Abe, në dhomat dhe sallonet e praruara të kullës Trump në Nju Jork. Vajza e tij më e madhe, Ivanka dhe bashkëshorti i saj, Jared Kushner ishin të pranishëm, edhe pse asnjë prej të dyve nuk kanë leje nga agjencia e sigurisë kombëtare. Fotografia koincidoi me lajmet se Kushner ka kërkuar këshillim ligjor nëse mund të bashkohet me administratën Trump, një lëvizje që mund të shkelë ligjin federal kundër nepotizmit dhe të rrezikojë padi ligjore e pasoja politike, kjo sipas gazetës “TheNew York Times”.
Presidenti i zgjedhur ka mbajtur dy djemtë e tij të rritur, Donald Junior dhe Erik pranë ekipit të tij të tranzicionit. Ai ka këmbëngulur se, pas inagurimit, do t’ua mundësojë djemve të merren me interesat e tij të biznesit, ndërsa vetë kryen funksionet e kryekomandantit, siç cilësohet shpesh kreu i Shtëpisë së Bardhë.
Bannon, ish-ekzekutiv i “Goldman Sachs” dhe shef ekzekutiv i “Breitbart News”, një rrjet komplotist i së djathtës ekstreme, ishte thjesht i pari nga disa nominime tepër kontroverse në kabinetin e ri. Të premten, Trump nominoi senatorin Jeff Sessions si prokuror të përgjithshëm, dhe gjeneralin në pension Mike Flynn si këshilltar të sigurisë kombëtare, duke lënë të çmeritur vëzhguesit progresistë dhe ata të etikës.
Norman Eisen, ish-këshilltar special dhe i etikës për presidentin Barak Obama, e akuzoi Trump se po vepron “si në një oligarki”. Duke shkruar në “Fortune” ai tha “se kjo nuk është mënyra sesi sillemi” në Amerikë.
Por, nuk ka prova që Trump ka për synim të mbajë parasysh kritika të tilla apo se ai do të përballen me to në rrugë ligjore.
“Problemi është se ai po thyen normat dhe po bën të vetat, por kjo nuk do të thotë se ai po shkel ligjin në ndonjë mënyrë”, thotë Robert Rizzi, avokat i etikës në Uashington dhe profesor në shkollën e ligjit në Harvard.
Një gjë e tillë nuk ka gjasa të ndryshojë shumë edhe kur Trump të marrë zyrtarisht detyrën në Zyrën Ovale. Familja e tij, sidoqoftë, do të duhet të përfshihet me kujdes. Një ligj federal kundër nepotizmit që ka hyrë në fuqi pasi presidenti Xhon Kenedi caktoi të vëllanë, Robertin si prokuror të Përgjithshëm, parandalon zyrtarët publikë nga caktimi i një të afërmi “në pozicione civile në agjencinë ku ai shërben ose mbi të cilën ushtron kontroll”.
Por, përsa kohë Kushner dhe fëmijët Trump nuk janë punonjës federal të paguar ose të papaguar, por thjesht “qëndrojnë shumë në Shtëpinë e Bardhë”, si e shpjegon një ekspert i etikës, ata mund t’ia hedhin ligjit. Eksperti që kërkoi të mos i përmendej emri, tha se nëse fëmijët Trump dhe dhëndrri i tij vijojnë të flasin me Trump pa dhënë instruksione për stafin e administratës, atëherë do të jetë e vështirë të gjendet ligji që ata mund të kenë shkelur.
Hillary Clinton kishte një rol formal në Shtëpinë e Bardhë të Bill Clinton duke u përpjekur të arrijë reformën në kujdesin shëndetësor, por ajo kishte një pozicion zyrtar si Zonja e parë e Shteteve të Bashkuara. Ajo ishte në gjendje të vazhdonte pa pengesa ligjore, edhe pse përpjekjet e saj dështuan dhe ajo vuajti pasoja të pamasa politike pas projektit.
Vëzhguesit etikë mund të përpiqen ende të padisin Trumpin nëse gjejnë konflikte interesi me biznesin e tij, nepotizëm të dukshëm për fëmijët e tij, apo përpjekje për të promovuar familjarët nga podiumi presidencial.
Megjithatë, ka shumë hapësira ligjore për t’u shfrytëzuar. Kushner pranë veshit të presidentit, mund ta përcaktojë veten si këshilltar informal – një “njeri të zgjuar” në stilin e këshilltarëve të lartë jozyrtarë që qëndronin pranë veshit të Lindon Xhonsonit në kohën e luftës në Vietnam.
Edhe pse Trump e ka sfiduar protokollon në kohën pezull deri në inagurimin e tij –duke ngritur oborrin e tij në një grataçielë, duke mbyllur qendrën e Manhatanit – devijimet mund të jenë thjesht tronditëse e asgjë më shumë.
“Presidenti i zgjedhur Trump është ende një qytetar privat, dhe mua m’u duk se kryeministri i Japonisë u takua me një qytetar privat dhe disa të tjerë”, thotë një profesor i ligjit në Universitetin Loyola.
“Ai nuk është zyrtar qeveritar akoma, mund të diskutojë për politikën amerikane në të ardhmen, por nuk është veprues”.
Eksperti e krahason takimin me atë që Trump zhvilloi me presidentin e Meksikës, Enrique Peña Nieto, gjatë fushatës. “Statusi i tij nuk ka ndryshuar, janë takime personale për të ndërtuar marrëdhënie personale”.
Por në momentin që Trump inagurohet si president, eksperti shton se ai dhe njerëzit që mban rrotull do të kenë nevojë për leje sigurie për të takuar krerët e shteteve.
Eksperti në kushte anonimati vuri në dukje se Trump, gjithashtu, ka refuzuar ndihmë nga zyrtarë të departamentit të Shtetit apo të Mbrojtjes që normalisht nisin të këshillojnë një president të zgjedhur.
“Publiku nuk do t’ia dijë. Ata votuan për ndryshim”, thotë ai.
Tradita, dikton, gjithashtu që presidenti i zgjedhur telefonon së pari kryeministrin e Britanisë pas fitores në zgjedhje. Trump nuk e dinte ose nuk u interesua ta bëjë këtë. Ai foli me shumë liderë, përfshirë Vladimir Putinin e Rusisë apo Benjamin Netanjahun e Izraelit e të tjerë përpara se të kishte një telefonatë që u duk si një bisedë e rëndomtë me Theresa May.
“Duket gjithçka e tmerrshme”, thotë eksperti. “Gjithë tranzicioni i tij është një shkatërrim. Disa gjëra do të jenë ndryshe kur ai të jetë në detyrë, por jo në masën që presin apo pëlqejnë disa njerëz. Nuk duhen ngatërruar normat, me atë që është e ligjshme apo e paligjshme”.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/