Mund të duket pak si lajm “fluturo fluturo”, por në botën e sotme, nuk duhet të habitesh me asgjë. Madje edhe nëse dëgjon se djali i Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, mund të luajë futboll për skuadrën e Interit në Itali.
Mediat menjëherë kanë gjetur lidhjen dhe shkakun e kësaj “thagme” në dukje. Dhe çfarë ka “sqaruar” situatën, ka qenë se djali 11 vjecar i Tramp, stërvitet me skuadrën e moshave të DS United, skuadër që është në pronësi të Erik Tohir, presidentit aktual të Interit.
Që këtu, arsyetimi është logjik dhe shpjegimi jepet lehtë. Në fakt “lidhja” mes Tramp dhe Tohir ka qenë edhe pak më e hershme, pasi presidenti aktual i SHBA-ve, në vitin 2016, ka tentuar të hyjë si aksioner tek skuadra zikaltër e Interit, madje dhe me premtimin e atëhershëm, se do të sillte trajner Xhovani Simeonen.
Por negociatat nuk shkuan siç u mendua, e në fund, Interin e mori miku i tij Tohir. Ndërsa sot, sipas mediave në Itali, nuk përjashtohet mundësia që Baron Tramp, të fillojë aktivizimin me skuadrat e të rinjve të Inter, për shkak të nivelit më të lartë të futbollit, që Europa ka.
Në fakt, Donald Tramp gjithnjë ka patur një lloj ndjeshmërie për sportin, pavarësisht se nuk ka qenë “i preferuar i sportistëve”. i paharruar mbetet refuzimi publik që ylli i NBA-së Stefan Këri i bëri ftesës së tij që skuadra kampione e basketbollit amerikan, Golden State Worriors, të vinte ta takonte në Shtëpinë e Bardhë.
Po kështu, kritika ka marrë edhe nga ylli tjetër i basketbollit, LeBron Xhejms, i cili nuk është kursyer ndaj opinioneve të Tramp për sportin amerikan. Nëse gërmojmë më tej, Presidenti amerikan ka marrë pjesë edhe në Wrestling, ku me dëshirën e tij, është pozicionuar në mbështetje të personazheve “të këqinj” të këtij sporti, madje edhe duke u hedhur në ring për të goditur kundërshtarin. /tesheshi.com/