Sulmuesi i Atletikos së Madridit ka zhvilluar një prej sezoneve të tij më të mira gjatë viteve të fundit, edhe pse tashmë është 32 vjeç. Ai është kthyer në lojtar kyç për skemat e Diego Simeone-s, por mungon në përfaqësuesen spanjolle prej dy vitesh. Teksa lista e kombëtares së Spanjës për në Euro 2016 nuk është bërë ende e njohur, interesante është të mësohet nëse ai do të jetë pjesë e saj.
Fernando Torres ka folur për agjencinë spanjolle të lajmeve EFES, ku i është përgjigjur dhe interesimit për pritshmëritë e tij mbi kombëtaren spanjolle.
Ai e ka quajtur surprizë nëse do të merrte një thirrje për të qenë pjesë e përfaqësueses në Euro 2016.
“Kanë kaluar dy vite nga grumbullimi i fundit me Spanjën, dhe do të qe surprizë të jem në listë. Shpresoj të jem në planet e Del Bosque-s.”
Por, sigurisht, lojtari që ka luajtur 110 takime me përfaqësuesen spanjolle e ka shënuar 38 gola me të, nuk kërkon të hapë asnjë polemikë, duke e pranuar se nuk ndjehet pjesë e grupit aktual.
“Kurrë nuk kam qenë një problem për ekipin kombëtar. Për mua është një burim krenarie të përfaqësoj vendin tim. Nuk ndjehem pjesë e grupit aktual të lojtarëve, kanë kaluar dy vite.”
“Të shohim se ç’do të ngjasë. Por, pa dyshim, nuk ka asnjë problem nga ana ime.”
Torres e ka bërë debutimin me përfaqësuesen spanjolle 13 vite të shkuara, e tani pret një tjetër grumbullim. Veçse duke mos ngulmuar, e jo qejfprishur. Thjesht, ai është i gatshëm të kontribuojë për kombëtaren. /tesheshi.com/