Tomas Myler mund të mos jetë në formën që janë mësuar të gjithë ta shohin, por ai vazhdon të jetë dhe të ketë qenë, objekt merkatoje për shumë skuadra “me pretendime”. “Sport Bild” zbulon se sulmuesi që nuk po kalon një moment të mirë edhe në raportin me trajnerin Anceloti, ka qenë preferenca e Liverpulit, nëse braziliani Kutinjo do të shitej tek Barcelona.
Prestigjozja gjermane shkruan se ka patur edhe ofertë konkrete për Bajernin nga skuadra e Jurgen Klop, i cili e ka konsideruar lojtar polivalent 28-vjeçarin, e shumë të rëndësishëm për vendosjen taktike të skuadrës së tij.
Në fund, marrëveshja mes dy klubeve nuk u finalizua, për shkak se Bajerni e konsideroi të pashitshëm Mylerin. Nga ana tjetër, për sulmuesin “e fshehtë” të Bajernit, prej vitesh ka patur interes edhe nga Mançester Junajtid, veçanërisht pas ardhjes së trajnerit Murinjo.
Në formë ose jo, Myler është Myler…gjithnjë i vlefshëm e i gatshëm të veprojë në zonë e jashtë saj, për të shënuar apo asistuar gola. Prandaj mbase e duan “të gjithë”. /tesheshi.com/