Kur Tomas Hobs ishte mësues matematike për mbretin e ardhshëm të Anglisë, Çarlsi II, në Paris në vitin 1646, nxënësi i tij i ri thuhet se e konsideronte filozofin më të madh modern të Britanisë si “njeriun më të çuditshëm që kishte takuar”. Kjo është një nga gjërat më të këndshme që është thënë për “Përbindëshin e Malmsbërit”, siç e cilësonte një pamfletist. Hobs ishte një nga mendimtarët më të përgojuar në historinë britanike, dhe pothuajse nuk pati asnjë mbrojtës në vendin e tij për rreth një shekull pas vdekjes në vitin 1679, në një moshë mjaft të shtyrë për kohën, 91-vjeçare.
Reputacioni i hershëm i Hobs ishte më i mirë në kontinent. Por, në shtëpi, disa njerëz thanë se Zjarri i Madh i Londrës i vitit 1666, dhe shpërthimi i epidemisë së murtajës një vit më herët – ishte mënyra e Zotit për të ndëshkuar Anglinë që toleronte një mistrec të tillë kaq jofetar.
Pak javë pas zjarrit, një komitet parlamentar nisi shqyrtimin në “libra të tillë që priren drejt ateizmit”, sidomos ndaj traktatit të mirënjohur të Hobsit “Levatiani”. Atij iu tha se disa arqipeshkvë e donin të vdekur. Kuptueshëm, ai shkatërroi shumë nga dokumentet e tij private, që është arsyeja përse jeta dhe puna e Hobsit janë prej kohësh një subjekt i komplikuar për akademikët.
Por, gjërat po marrin për më mirë për Përbindëshin, falë punës së Noel Malcolm, një dijetar në Kolegjin e Të gjithë Shpirtërave në Oksford, dhe ish-gazetar e analist. Në vitet 1990, Dr. Malcolm e transformoi studimin për Hobs duke mbledhur dhe vënë në dukje gjithë korrespondencën e tij të mbijetuar. Dr. Malcolm duket se ka lexuar, dhe rivlerësuar, çdo gjë që mund të jetë me ndikim (kjo përfshin edhe mbishkrimet në gurin e varrit, kështu që mund të thuhet padyshim se ai nuk ka lënë gur pa kthyer). Ai tashmë ka arritur të publikojë të parin edicion të plotë “Levatianit”, përfshirë edhe një version të ndryshëm e më të shkurtër në latinisht, që Hobsi e publikoi 17 vjet pas tekstit anglisht që studentët mësojnë edhe sot e kësaj dite. Çdokush që hamendëson përse Hobsi përdori emrin e një përbindëshi detar biblik që tradicionalisht identifikohej me Largqoftin për t’iu referuar Shtetit, apo Komonuelthit “të cilit… ne i detyrohemi paqen dhe mbrojtjen tonë”, do të ndeshen me zgjidhjen e errët por më të afërt të kësaj çudie, sikundër edhe me shpjegime të tjera.
Përse Hobsi pati kaq shumë armiq, edhe po të lëmë mënjanë politikën e tij, që shumë më pas, kishte shumë provokacione? Kishte aty tirada të gjata kundër Aristotelit dhe skolacizmit, që synonin universitetet. Kishte sulme mbi teologët, të cilët, sipas Hobsit, pretendonin të dinin më shumë për Zotin sesa mund të zbulojnë mendjet njerëzore.
Kishte një rrëfim të psikologjisë të ndëmarrë për të treguar njeriun si egoist të pandreqshëm. Hobs, po ashtu, loboi për reduktimin e pushtetit të Kishës. Ai mendonte se konfliktet fetare duhet të zgjidheshin nga sovrani i çdo shteti, e kjo është një nga arsyet përse ai ktheu kundër Katolicizmin, një besim ndër-nacional. (Ndodh që i ati i Hobsit të ishte klerik: një gjysmë analfabet i dehur, të cilit iu desh të zhdukej kur Hobsi ishte vetëm një djalë i vogël, pasi kishte rrahur një klerik tjetër në oborrin e kishës).
Mbi të gjitha, megjithatë, ishte materializmi shkencor i Hobsit që e shndërroi atë në anatemë. Ashtu si Dekarti, dhe të përkushtuar të tjerë të “filozofisë së re” të nisur nga Galileo, Hobsi e sheh natyrën si një makinë. Por, ai e çoi këtë ide edhe më tej se çdokush tjetër dhe mbajti qëndrimin që absolutisht gjithçka është fizike. Nuk ka shpirtëra jo-materialë: pavdekësia e njeriut nis me rilindjen e trupit të tij. Dhe vetë Zoti është një qënie fizike. Kjo e bëri Hobsin një “ateist” për praktikisht gjithë të tjerët, përveçse për atë vetë. Për pjesën më të madhe të historisë, një “ateist” ishte njeriu që nderonte Zotin e gabuar, jo mungesën fare të Zotit; Zoti fizik, si imagjinohej nga Hobsi nuk ishte Zot në të vërtetë.
Ideja e Hobsit është një nga herezitë më të rralla në historinë e Krishtërimit. Disa kanë pretenduar se Tertulli, një nga baballarët Latinë të Kishës, e besonte. Por ideja ishte e neveritshm, e tmerrshme për të gjitha komunitetet deri në shekullin e 19-të, kur besimi amerikan i mormonëve e përshtati atë. Si Hobsi, mormonët mendonin se Bibla ishte e vërtetë në atë që thoshte në pasazhet që përshkruajnë njeriun si imazhin e Zotit. Në qoftë se Mitt Romney, ish-kandidati republikan në zgjedhjet presidenciale amerikane të mëhershme, beson në shkrimet e besimit të tij, ai pranon që Zoti, Babai “ka trup me mish e kocka si të një njeriu të prekshëm” –bindja që e përndoqi Hobsin dhe e bëri atë të përbuzshëm për shekuj.
Materializmi modern, kundërshtar me materializmin e lashtë të Demokritit, ishte një nga dy inovacionet kryesore filozofike të Hobsit. Tjetri ishte mënyra e re për të parë qeverinë: metoda e Hobsit në filozofinë politike ishte e kundërt me utopizmin. Në vend që të përshkruante një shoqëri ideale, siç bën Platoni tek “Republika”, Hobsi nis me imagjinatën e tmerreve të një bote pa ligje, ku çdokush duhet të mbrojë veten. Rezultati, si shkruajti ai në frazat e tij të famshme, do të ishte “frika e vazhdueshme, dhe rreziku i vdekjes së dhunshme, ndërsa jeta e njeriut, e vetmuar, e varfër, e shpifur, brutale dhe e shkurtër”. Për të shmangur këtë rezultat, njeriu duhet duhet të lëshojë të drejtën e tij natyrale të vetë-mbrojtjes dhe shumë më tepër se kaq për një autoritet Sovran me fuqi shumë të gjera, ku preferohej një monarki absolute. Çdo gjë më pak se kaq, do të kishte pasoja fatale.
Hobsi jetoi në Anglinë e luftërave civile dhe disa luftërave fetare në kontinent. A e bënë këto kohëra të tmerrshme të ofronte kurën që ishte edhe më e keqe se sëmundja? Kjo është zgjidhja e disa historianëve.
Hobsi me gjasa do ta kishte ditur pjesën e parë: ai pranonte se ishte një njeri me frikëra. Nëna e tij e lindi parakohe nën frikën e thashethemeve për afrimin e Armatës Spanjolle, që bëri që Hobsi të shkruante frazën e famshme: “A solli ajo në jetë binjakët: mua dhe Frikën”. Logjika? Ai është aq fajtor sa e akuzojnë. Arsyetimi i tij provokativ mbi një sërë çështjesh startoi me goditje filozofinë britanike moderne. Ndërsa sa për despotizmin, kjo është një çështje mjaft e vështirë. Edicioni i ri i “Levatianit” mund të ndihmojë lexuesit të vendosin nëse bëhet fjalë për një përshkrim të drejtë të asaj që Përbindëshi kishte në mendje.
Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/