Myftiu i Shkodrës Muhamed Sytari u kërkoi autoriteteve shqiptare që të bëjnë ç’është e mundur për kthimin e fëmijëve shqiptarë të mbetur në Siri
“Ajo që na intereson është se familjet e shqiptarëve të gënjyer apo të mashtruar nga propagandat false të atyre ditëve të kthehen një orë e më parë në vendin e tyre. Sepse nuk kanë faj fëmijët për gabimet e të rriturve dhe normalisht që diplomacia me të gjitha format duhet të interesohet dhe të luajë rol vendimtar, qoftë dhe për kthimin e një fëmije të vogël, sepse ai është shqiptar.
Çdo shqiptar nga më i vogli deri tek më i rrituri është i shenjtë në këto kontekste”, tha Sytari në një deklaratë për median.
Çështja është bërë e ndjeshme këto ditë me publikimin e disa rasteve ku fëmijë me prindër të vrarë, kanë mbetur në kampet e luftës. Kohë më parë, u mundësua kthimi në Kosovë i shumë grave e fëmijëve kosovare me të njëjtin fat.
Kryeministri Rama ka thënë se po punon për një kthim të mundshëm të këtij kontigjenti fatkeq. /tesheshi.com/