Koreja e Veriut ka akuzuar Shtetet e Bashkuara për prodhimin e armëve biologjike në Ukrainë, duke përsëritur të njëjtat akuza ruse të kundërshtuara nga Kombet e Bashkuara në mars.
Uashingtoni ka “krijuar laboratorë të shumtë biologjikë në dhjetëra vende dhe rajone, përfshirë Ukrainën, në kundërshtim me marrëveshjet ndërkombëtare”, shkruan agjencia zyrtare e lajmeve e Koresë së Veriut KCNA, duke iu referuar elementeve të “zbuluara” nga Rusia.
Pheniani, aleati i Moskës, akuzoi gjithashtu Uashingtonin se ishte “kryetari i terrorizmit biologjik që e zhyt njerëzimin në shkatërrim” dhe për zhvillimin e luftës bakteriologjike gjatë Luftës Koreane në vitet 1950.
Akuzat për Luftën Koreane janë bërë disa herë më parë nga Pheniani, Pekini dhe Moska, por Uashingtoni i ka mohuar ato.
Në shkurt, Pheniani deklaroi se politika e SHBA është shkaku i thellë i krizës ukrainase.
Koreja e Veriut ka njohur zyrtarisht Luhansk dhe Donetsk, dy republika të vetëshpallura separatiste pro-ruse në Ukrainën lindore. /tesheshi.com/