Lirak Çelaj, kandidat i PDK-së, për kryetar i Prishtinës, ka publikuar platformën zgjedhore, e cila përmban tetë pika për zgjidhjen e problemeve kryesore që ka kryeqyteti.
Ai premtoi se do ta bëjnë Prishtinën një destinacion, ku qytetarët do të vijnë enkas për ta vizituar.
“Platforma jonë paraqet brengat e qytetarëve të Prishtinës. Programi ynë përmban 8 pika. Duam ta bëjmë Prishtinën destinacion, jo tranzit. Aktualisht, Prishtina është qyteti më i shëmtuar. Me ne, njerëzit do të vijnë enkas për ta parë qytetin”, tha ai.
Çelaj ka vlerësuar si problemin kryesor të Prishtinës trafikun e rënduar dhe mungesën e parkingjeve. Ai tha se do të ndërtojnë parkingje nëntokësore. Sipas tij, rrugët “Luan Haradinaj” dhe “Agim Ramadani” duhet të bëhen vetëm njëdrejtimshe. Ndërsa ka paralajmëruar dhe taksa hyrëse për veturat që hyjnë në pjesën e ngushtë të qytetit.
Këto janë 8 pikat e programit “Forca e ndryshimit për Prishtinën 2017-2021”:
1. Prishtina e shpejtë – Trafik funksional urban, parkingje nëntokësore, taksë hyrëse në qendër
2. Prishtina e sigurt – Kamerat e sigurisë, hyrjet me ndriçim, patrulla mobile të punëtorëve socialë
3. Prishtina e ngrohtë – Energji efiçiente, implementimi i projektit për ngrohje, ulje e faturës së energjisë deri 40%
4. Prishtina 24 orë – Parqe për fëmijë, 1 lagje – 1 fushë rekreative-portive, industri e rajonit për clubbing
5. Prishtina destinacion – Rikonstruktimi i Prishtinës së vjetër, teatri i qytetit, qytet i festivaleve
6. Prishtina që parandalon – Tri këshillimore për të rinjtë, familjet dhe te moshuarit
7. Prishtina e dijes – Ndërtimi i 3 shkollave dhe i 3 çerdheve të reja në kryeqytet
8. Prishtina digjitale – Qendër ndërkombëtare e IT-së, inkubator për biznese të IT-së dhe
industrisë kreative.