Presidenti Meta ka lëshuar një thirrje për t’ju bashkuar atij më 8 dhjetor, në një përpjekje për të fituar lidership në luftë me qeverinë.
“Të dashur qytetarë! Më 8 dhjetor ju pres në Qytetin Studenti në sheshin “Demokracia”! Le të nderojmë së bashku studentët e Dhjetorit, të cilët me guximin e tyre çelën një epokë të re për shqiptarët, atë të demokracisë që kjo pakicë politike e ka tradhtuar, duke shpopulluar vendin, duke eliminuar përfaqësimin e qytetarëve e duke kapur shtetin përmes dhunimit të Kushtetutës e ligjit”. Mjaft me këtë pakicë politike që keqqeveris vendin e s’mban asnjë përgjegjësi!”, shkruan Meta, me bindjen se ka popullin nga pas.
Ai më pas ka cekur sërish çështjen e një referendumi, por sërish pa e specifikuar se për çfarë. “Referendumi është një e drejtë kushtetuese, që populli e vendosi vetë me Referendum më 22 Nëntor 1998. Shqipëria do të hyjë me çdo çmim në epokën e referendumeve, që partitë të jenë nën presionin e popullit, të interesit publik dhe kombëtar dhe jo si tani që populli të jetë viktimë e partive dhe në mëshirën e tyre. Të gjithë vetëm me flamuj kombëtar në Shesh më 8 Dhjetor! Shqipëria e Para!”, shkruan Meta.
Kjo është një sfidë politike që kreu i shtetit ka zgjedhur të testojë se ç’përkrahje popullore ka lëvizja e tij “sovraniste” kundër ndërkombëtarëve, e sigurisht dhe pozicionimi politik kundër qeverisë. /tesheshi.com/