Lideri konservator gjerman Friedrich Merz nuk arriti të fitonte shumicën parlamentare të nevojshme për t’u emëruar Kancelar në raundin e parë të votimit të martën, një humbje e papritur për koalicionin e tij të ri me Social Demokratët e qendrës së majtë, raportoi Reuters.
Merz, 69 vjeç, i cili udhëhoqi partinë e tij konservatore CDU/CSU drejt fitores në zgjedhjet federale në shkurt dhe që atëherë ka siguruar një marrëveshje koalicioni me Social Demokratët e qendrës së majtë (SPD), morri 310 vota në dhomën e ulët të parlamentit, tha presidentja e Bundestagut, Julia Kloeckner.
Por atij i duheshin 316 vota për të siguruar shumicën.
Kloeckner tha se po pezullonte seancën e Parlamentit në mënyrë që grupet parlamentare të mund të konsultoheshin se si të vazhdonin.
Shumica absolute
Dhoma e ulët e parlamentit, Bundestag, tani ka 14 ditë për të zgjedhur Merzin ose një kandidat tjetër për Kancelar me shumicë absolute. Një votim i ri mund të caktohet që të martën, shkruan Reuters.
Konservatorët e Merz fituan zgjedhjet kombëtare në shkurt me 28.5 përqind të votave, por atyre u duhet të paktën një partner për të formuar një qeveri me shumicë.
Të hënën, ata nënshkruan një marrëveshje koalicioni me Social Demokratët e qendrës së majtë, të cilët fituan vetëm 16.4 përqind, rezultati i tyre më i keq në historinë e Gjermanisë pas luftës. /tesheshi.com/