Ish-kapiteni i Liverpulit vendosi të mos jetë më në fushë si futbollist. Pas një karriere të gjatë te Liverpuli, Gerrard provoi futbollin përtej oqeanit, si një ndalesë e fundit.
Përmes një njoftimi, Steven Gerrard u ka dhënë dje fund spekulimeve, ka pranuar se është tërhequr nga aktiviteti si futbollist, duke theksuar po ashtu se do të vijojë të jetë po brenda botës së futbollit.
“Pas spekulimeve të fundit mediatike rreth së ardhmes sime, mund të pohoj tërheqjen time nga futbolli profesionist,” ka njoftuar Gerrard.
“Kam patur një karrierë të pabesueshme, dhe jam mirënjohës për çdo moment të kohës sime te Liverpuli, te Anglia dhe te LA Galaksi.”
“Si një adoleshent, përmbusha ëndrrën time fëminore duke veshur bluzën e kuqe të famshme të Liverpulit, dhe kur bëra debutimin tim kundër Bllekbërn Roversit në nëntor të 1998-s, nuk mund ta imagjinoja kurrë çfarë do të pasonte gjatë 18 viteve të ardhshme.”
Pasi ka kujtuar momentet e tij më të mira, pasi ka falënderuar të gjithë ata që e kanë ndihmuar në karrierën e tij, veçanërisht familjen, Steven Gerrard ka hedhur dritë dhe mbi të ardhmen.
“Jam i entuziazmuar mbi të ardhmen, dhe e ndiej se ende kam shumë për t’i dhënë lojës. Tani po shqyrtoj një numër alternativash, dhe shpejt do të njoftoj mbi fazën tjetër të karrierës sime.” /tesheshi.com/