A është ende në fuqi marrëveshja e 18 majit mes kryetarit të PD-së, Lulzim Basha, dhe kryeministrit Edi Rama?
Kreu i qeverisë i referohet gjithmonë kësaj marrëveshjeje kur flet mbi raportet me opozitën dhe dialogut me të. Por në anën tjetër, PD herë e cilëson marrëveshjen të vdekur dhe herë kur flitet për reformën zgjedhore, i referohet asaj, duke mos mbajtur një qëndrim të prerë nëse është apo jo në fuqi dokumenti i arritur 5 muaj më parë.
Debati duket se është rihapur pikërisht përsa i takon reformës zgjedhore. Rama i referohet kësaj marrëveshjeje, ndërsa Basha flet për një projekt të opozitës, që sipas tij, me një konsultim me qytetarët që t’i japim Shqipërisë një sistem zgjedhor, i cili vë në qendër qytetarin, jo bandat, jo kriminelët dhe jo oligarkët.
Si Basha ashtu edhe Rama duket se janë në një garë pikërisht përsa i takon raporteve me qytetarët. Kryeministri flet për bashkëqeverisje me qytetarët e thjeshtë, ndërsa Basha për reforma në konsultim me to.
Por a do të ketë një tjetër takim mes Ramës dhe Bashës?
Kryeministri herë pas here i shtrin dorën opozitës, duke dhënë sinjalin për një raport krejt tjetër nga ai i mandatit të parë.
Ndërsa Basha duket se është në një situatë jo fort komode, ku në njërën anë duhet të përballojë akuzat e brendshme për bashkëpunimin me kryeministrin dhe në anën tjetër i duhet ky bashkëpunim për realizimin, e të paktës reform zgjedhore, sipas propozimeve të artikuluara prej tij.
“Jam ulur e me siguri do të ulem edhe me pasardhësin e Edi Ramës. Nuk është ky problemi. Problemi është, a do të zgjidhim diçka dhe kjo varet tërësisht nga qendrimi që Edi Rama do të mbajë ndaj proçesit deformues të 25 qershorit. Nese zgjedh, si ka zgjedhur deri më sot, të mbyllë sytë para faktit që ka një mazhorancë fiktive e cila nuk ka dalë nga vullneti i shqiptarëve, nga vota e ndershme e shqiptarëve, atëherë kursi tjetër është kursi i përballjes, dhe për këtë Partia Demokratike dhe aleatët, janë më të bashkuar dhe më të vendosur se kurrë”, përgjigjet Basha. /gj.k/ /tesheshi.com/