E porositi kryeministri i atëhershëm i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, gjatë qeverisjes së tij. Makina Mercedes e blerë me tender të MPB-së, e cila kushtoi rreth 600 mijë euro, edhe pse pritet vlerësimi zyrtar, aktualisht në treg ka vlerën e 400 mijë eurove.
Automjeti luksoz u përmend dhe në “bombat” e famshme, ndërkohë që Prokuroria Speciale ka hapur hetim të posaçëm të quajtur “Tanku”, pikërisht për këtë automjet. Nën akuzë për keqpërdorim të detyrës zyrtare janë dy persona, ish-ministrja e brendshme Gordana Jankullovska dhe kryeshefi i atëhershëm për furnizime publike, Gjoko Popovski. Akuza është pranuar nga gjykata por ende nuk është caktuar seanca gjyqësore. Me vendim të Gjykatës së Apelit si dëshmi do të shfrytëzohen edhe bisedat e përgjuara.
Tani veturën Mercedes do ta nxjerrë në shitje kryeministri i ri Zoran Zaev, ku thuhet se me 400 mijë eurot e “tankut” do të blihen auto-ambulanca.
Qeveria njofton se kanë hapur procedurë për shpronësimin e veturës së famshme nga të ashtuquajturat “bomba”, dhe se vetura më nuk është në pronësi të MPB-së.
“MPB ka edhe makina të tjera, të cilat janë të ngjashme më këtë tip, megjithatë me datë më të vjetër të prodhimit dhe me më shumë vjet që janë përdorur. Mercedesi është dorëzuar dje tek Shërbimet për punë të përbashkëta dhe të përgjithshme, pasi që me kërkesë të qytetarëve, vendimi ishte që të shpronësohet dhe mjetet të shfrytëzohen për pajisje mjekësore”, u shpreh Oliver Spasovski, Ministër i punëve të brendshme.
Zëdhënësi i qeverisë, Mile Boshnjakovski tregon se ka filluar procedura për shpronësimin e veturës së blinduar.
“Deri në këtë moment e dimë vlerën e makinës që u paraqit viteve të fundit, që ishte 600 mijë euro. Por, meqë tani nuk e dimë vlerën reale të veturës, do të bëhet vlerësimi gjatë këtij procesi dhe sipas shumës së parave që mund të shitet do të përcaktohen se cilat janë nevojat e qendrave klinike nëpër vend ose nëpër shtëpitë tjera të shëndetit. Sipas atij vlerësimi do të blihen pajisjet e nevojshme”, tha Boshnjakovski.
Miradie Hasani – /tesheshi.com/