Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, bashkë me drejtorin e përgjithshëm të ALUIZNI-t, Artan Lame kanë shpërndarë 250 leje legalizimi në zonën e Kombinatit, në Tiranë. Ata theksuan faktin se në këto 3 vite, banorët janë pajisur me dokumente pronësie 6 herë më shumë se në periudhën e qeverisë “Berisha”.
“Sot në të gjithë qarkun e Tiranës janë bërë rreth 20 mijë legalizime, ose 6 herë më shumë, sesa janë bërë në 8 vitet e qeverisë “Berisha”. Ajo që kemi bërë në këto 3 vjet është prova më e mirë, për t’u bashkuar dhe bërë më shumë më tej”,-u shpreh ministri i Brendshëm.
Artan Lame, drejtori i përgjithshëm i ALUIZNI-t ftoi banorët që kërkojnë të mbyllin këtë proçes, që të bëhen më bashkëpunues me institucionet.
“Ka shumë familje që ende janë duke plotësuar dokumentacionin. Flisni me ta për të plotësuar, për të ardhur në zyrat tona, për të shkuar të zyrat e Njësisë Administrative kur ka nevojë për të marrë dokumente nga njësia për t’i plotësuar dosjen. Thuajuni – ne vajtëm, morëm dhe mbyllëm procesin e legalizimit, shkoni dhe ju aplikoni dhe ndiqni procedurat, plotësoni dosjet, – sepse vetëm bashkë mund ta çojmë procesin përpara. Ne nga zyra dhe ju nga shtëpia nuk i legalizojmë dot. Bashkërisht, siç e bëmë deri më sot, do vazhdojmë dhe më tutje”,- tha Lame.
Po ashtu, ministër i Punëve të Brendshme nënvijëzoi se gjatë këtij mandati, qeveria ka përmirësuar jo vetëm legalizimin e banesave, por edhe sektorë të tjerë të rëndësishëm, të cilët sipas tij, ishin në prag të rrënimit, kur të djathtët dorëzuan pushtetin.
“Siç kemi bërë me legalizimet, kemi bërë thuajse me të gjitha fushat. Shqipëria që morëm në 2013-n ishte buzë greminës, sa i takon ekonomisë, infrastrukturës, arsimit, shëndetësisë, sigurisë, të gjitha fushave. Secili prej jush e di sesa e vështirë ishte jeta. Në çdo familje ka probleme. Çdo familje mundohet dhe me sakrificë t’i zgjidhë pak nga pak, çdo ditë, asgjë nuk bëhet brenda natës, dhe aq më pak punët e mëdha nuk bëhen as brenda muajit dhe as brenda vitit. Ndaj duhet kohë. Mbi të gjitha duhet kohë dhe besimi juaj”, përfundoi Tahiri./tesheshi.com