Nga Vepror Hasani
Ndryshe nga qytetet e tjera, Korça pati dy pazare: Pazarin e Korçës, pranë Xhamisë së Mirahorit, (themelues i qytetit të Korçës), dhe Pazarin e ortodoksëve pranë Mitropolisë së Korçës. Historia e Pazarit të Ortodoksëve u shkrua nga Kodiku i Madh, ose siç quhet ndryshe, Kodiku i 99-të, kurse për Pazarin e Korçës nuk u ndodh kush të mbante shënim historinë e tij. Shumë studiues të djeshëm nuk kishin dijeni që Korça kishte dy pazare; as studiuesit e sotëm nuk e dinë. Të djeshmit, sa herë donin të shkruanin për Pazarin e Korçës i referoheshin Kodikut të Madh, dhe ndërsa shkruanin për Pazarin e Ortodoksëve, mendonin se ishin duke shkruar për Pazarin e Korçës. Edhe të sotmit të njëjtën gjë bëjnë. Viktima e parë e Kodikut të Madh u bë studiuesi Zija Shkodra; më pas urbanisti Pirro Thomo, publicisti Ben Andoni e të tjerë.
Dhe ndërsa shkruajnë për Pazarin e Ortodoksëve dhe jo për Pazarin e Korçës, askujt prej tyre nuk i bën përshtypje fakti pse të gjitha rufetet (zejet) dalin në dorë të ortodoksëve, ndërsa për myslimanët nuk ka mbetur asgjë! Habiten që edhe rufeti i tabakëve, tradicionalisht i ushtruar prej myslimanëve në çdo qytet, sërish del në dorë të ortodoksëve, por askush prej tyre nuk i thotë vetes: prit, këtu ka diçka që nuk shkon, sepse Pazari i Korçës u ngrit nga Mirahori dhe jo nga dhespoti! Si ka mundësi që të gjitha rufetet të zotërohen prej ortodoksëve! Dhe në vend që të gjejnë të vërtetën, gjejnë shpjegimin që i përshtatet asaj që shkruhet në Kodikun e Madh.
I ndikuar prej Kodikut, Zija Shkodra dha këtë shpjegim: “Korça dhe Voskopoja janë dy qendra, të cilat filluan të zhvilloheshin në qindvjetin e XVIII, kur procesi i islamizmit të qyteteve tona pothuajse kish marrë fund. Ndërsa për qendrën e parë islamizimi nuk preku veçse 1/3 e popullsisë, për të dytën ky proces nuk u përhap fare. Ishte e natyrshme pra që regjja e lëkurës në këto dy vende të qëndronte në duart e të krishterëve…”. (Zija Shkodra, “Roli dhe pozita e veçantë e esnafit të tabakëve”, f. 41).
Studiuesi Pirro Thomo formuloi këtë arsyetim: “Zhvillimi i zejeve dhe i tregtisë kishte krijuar një shtresë të gjerë popullsie, e cila mbizotëronte në qytet dhe luante një rol të rëndësishëm në organizimin e jetës së brendshme dhe të tregut. Pjesa dërmuese e kësaj shtrese ishte e krishterë dhe kishte shtënë në dorën e saj pothuajse të gjitha zejet dhe organizatat e tyre esnafore, madje edhe ato zeje, të cilat ushtroheshin tradiconalisht në qytete të tjera të vendit nga popullsi myslimane, siç ishin Tabakët”. (Pirro Thomo, Korça, urbanistika dhe arkitektura, f.33)
Ndërsa publicisti Ben Andoni, shkruan: “Në shekullin e XVIII emrat e rufeteve korçare ortodokse të nxjerra nga Kodiku i Madh i Mitropolitit të Korçës ishin: 1. Rufeti i Shën Athanasit, 2. Rufeti i tabakëve, 3. Rufeti i terzinjve, 4. Rufeti i bakërxinjve, 5. Rufeti i bakenjve, 6.Rufeti i kazanxhinjve, 7. Rufeti i argjendarëve, 8. Rufeti i papuçinjve, 9. Rufeti i shajakxhinjve, 10. Rufeti kondakçinjve, 11. Rufeti i furrëxinjve, 12. Rufeti i samarxhinjve, 13. Rufeti i qyrkxhinjve, 14. Rufeti i të ndershmit Prodhrom, 15. Rufeti i kasapëve, 16. Rufeti i opingarëve. 17. Rufeti i hambarxhinjve. Atyre iu shtuan dhe esnafe të tjera: si ai i hanxhinjve, i kafexhinjve duke arritur numrin e tyre në 19-20. Në këtë qytet kishte dhe një esnaf muhamedan, kujton Profesor Zija Shkodra, një nga studiuesit më interesantë shqiptarë. (Ben Andoni, Pazari i Korçarëve, 2007).
Nga sa shkruhet më sipër, kuptohet që as Zija Shkodra, as Pirro Thomo me Ben Andonin dhe as të tjerët, nuk e dinë që janë duke shkruar për Pazarin e Ortodoksëve pranë Mitropolisë dhe jo për Pazarin e Korçës, pronë vetëm e Mirahorit dhe e myslimanëve të Korçës. Ndërsa numri i zejeve është imagjinatë e Andonit, sepse në asnjë dokument të Kodikut dhe në asnjë rast, nuk përmenden 19 rufete, sepse Pazari i Ortodoksëve ishte pazar i vogël; dyqanet dhe zejet e tij ofronin shërbime vetëm për komunitetin ortodoks. Të tilla pazare gjendeshin edhe nëpër fshatrat e Korçës.
Për Pazarin e Korçës ekzistojnë shumë foto, ku shfaqen punishte, farkëtarë, Pazari i Drithit, Pazari i Grave, i Pëlhurave etj. Edhe nëse nuk do të ekzistonin fotografi, ekziston vetë pazari prej 500 vjetësh, kurse për Pazarin e Ortodoksëve ka mbetur vetëm një foto, ndaj është shumë e vlefshme. Duhet të ketë patur edhe foto të tjera, por fatkeqësisht kanë humbur. Fotoja e vetme i përket vitit 1918, gjithë pamjen e saj e zë Mitropolia, sipër saj shkruhet “Koritza – place et Marche. The Market Place”. Është dëshmia më e mirë që flet për ekzistencën e Pazarit të Ortodoksëve pranë Mitropolisë. Në foto nuk duken as dyqane, as punishte, as hane, as sheshe tregtimi, as njerëz që shesin dhe blejnë, as njerëz që vijnë e shkojnë, as besimtarë që hyjnë dhe dalin nga Mitropolia dhe as karavane kuajsh që sjellin e çojnë mallra etj; vendi është bosh: tre-katër priftërinj, një fëmijë që kërkon të tërheqë vëmendjen e fotografit, rrugë të zbrazëta dhe asgjë më. Ndërtesa është e vjetër, me mure të plasaritur, e lënë pas dore kushedi prej sa kohësh; ndoshta që prej një shekulli. Rufetet, nga sa kuptohet, nuk kanë mundësi të ndihmojnë për mirëmbajtjen e Kishës-Katedrale, Burimi Jetëdhënës. Varfëria ndihet trishtueshëm. Nëse fotoja nuk është provë e mjaftueshme për ekzistencën e Pazarit të Ortodoksëve, na ndiqni, më poshtë do të sjellim fakte të tjera.
Tashmë po u referohemi fakteve: një prej dokumenteve të Kodikut të Mitropolisë së Shenjtë, i datës 28 nëntor 1637, botuar nga studiuesi Ilo Mitkë Qafëzezi te revista “Leka” në shkurt të vitit 1936, bën të ditur se shtatë rufete: “i tabakëve, i papuçinjve, i terzinjve, i qyrkçinjve, i çarkçinjve, i kasapëve, i samarxhinjve të gjendur në Mitropolinë e Korçës, domethënë në Varosh, me mirëdashje të vetë të tyre edhe për shpëtimin e tyre shpirtëror, dhanë për skoli të bashkëtë, (që) të mësojnë djemtë pa pagesë edhe mësonjësi që do të ndodhet kohë mbë kohë, (do) të marrë rrogën e tija dy mijë aspra nga këto rufete”. Vini re! Vetë dokumenti i Kodikut të Madh pohon se 7 rufetet gjenden në Mitropolinë e Korçës, domethënë në Varosh, që do të thotë se këto rufete janë të Pazarit të Ortodoksëve dhe jo të Pazarit të Korçës. Pjesëmarrësit në takim vendosin të paguajnë për mësuesin, që fëmijët të mësojnë pa pagesë.
Studiuesi Ilo Mitkë Qafëzezi vëren mungesën e disa rufetefeteve: “Është për të venë re dhe puna,- shkruan Qafëzezi, – se në këtë lidhje kuvendi janë vetëm shtatë rufetëra zanatçinjësh. Mungojnë sidomos isnafi i math i Kondakçinjvet (dyfekçinjtë) dhe ay i Bakërxhinjvet të cilët kanë vlukuar (përparuar) me qindvjete në Korçë, sikurse dhe në Voskopojë. Le këta, po mungojnë dhe korporatat e Tyxharëvet…”. Verejtja e Qafëzezit është e drejtë, por në këtë periudhë këto rrufte ishin ekskluzivitet vetëm i myslimanëve, veçanërisht rufeti i armëtarëve dhe i tyxharëve. Në vijim do të shohim se Pazari i Ortodoksëve kishte vetëm 7 rufete.
Qafëzezi dyshon edhe te vërtetësia e dokumentit: “Origjinali i aktit në fjalë,- shkruan ai, – gjendet në faqen 52 bis të Kodikut të Math të Mitropolisë. Nuk ka titull; vetëm ndë mest të tij shohim se quhet simfonitikon engrama, (shkresë kontrate). Greqishtja e këtij akti është romejishte (romaiika) e bërë një me elenishte letrare, pothuajse si ajo që shohim ndër dokumentat e mëpasme të Dhanillit të Voskopojës. Akti me qënë i vjetër, (që të duket si i vjetër), i janë shuar (fikur) aty-këtu, disa rrokje fjalësh, të kuptuarshme, të cilat po i plotësonj me ato shkronja të vëna ndër kllapëza”. A ishin të justifikuara dyshimet e Ilo Mitkë Qafëzezit? Sigurisht që po. Deri në vitin 2003 pretendohej se Kodiku i Madh i Mitroplisë përmbante dokumente e ngjarje të periudhës 1572-1943, por kjo gjë nuk rezultoi e vërtetë. Specialistë të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave zbuluan manipulimin e Kodikut: “Sido që thuhet se kodiku bën fjalë për ngjarje që fillojnë prej vitit 1572, as grafia, as koha e shkrimit nuk janë të shekullit të 16-të. Dëshmohet qartazi nga një shenjim se ky kodik filloi të shkruhej në vitin 1676, “kur ishte patrik i Ohrit Joasaf Voskopojari”. (Drejtoria e Përgjthshme e Arkivave, Kodikët e Shqipërisë, Tiranë, 2003. f. 177-178).
Pra, dokumenti i dt. 28 nëntor 1637, që flet për 7 rufetet, nuk është i vërtetë, por fals, pasi Kodiku nuk përmban dokumente të paravitit 1676. Dhe “më e bukura”: dokumenti bën fjalë për një shkollë, kur në të vërtetë në këtë kohë, viti 1637, Varoshi apo fshati Peskëpi, siç quhej ndryshe, nuk kishte asnjë shkollë, për rrjedhojë nuk ka patur as tregtarë. Dokumenti është imagjinar.
Atëherë, pse i duhej Mitropolisë së Korçës një falsifikim kaq flagrant? Ndoshta dëshironte të tregonte se Varoshi (ose fshati Peskëpi, siç quhej ndryshe), ishte një vend i emancipuar, me shkolla të hershme greke, me pazar, me biznesmenë të fuqishëm që kontribuonin për arsimin etj. Të ndikuar nga përshkrime të tilla, studiues, publicistë ranë “pre” e Kodikut të Madh.
Vijojmë më tej: shtatë rufetet e përmendura në vitin 1637, (gjoja si të vërteta), shfaqen përsëri një shekull më pas. Urbanisti Pirro Thomo, referuar Kodikut të Madh, dokumentit 71, shkruan: “… më 1738, “Rufeti i tabakëve, i papuçinjve, i terzinjve, i qyrkxhinjve, i çarkçinjve, i kasapëve, i samarxhinjve, që ndodhen në Miropolinë e Korçës, d.m.th në Varosh, dhanë dhurata shpirtërore për shkollë të përbashkët që të mësojnë djemtë pa pagesë, cilëtdo qofshin”. (Nëse me fjalën “cilëtdo qofshin”, nënkuptohen fëmijët e myslimanëve, atëherë kjo është një e pavërtetë tjetër, pasi myslimanët e kishin medresenë që nga viti 1496).
Edhe në këtë dokument Kodiku i Madh i Mitropolisë, thekson se 7 rufetet “ndodhen në Miropolinë e Korçës, d.m.th në Varosh”, Kodiku e nënvizon herë pas herë këtë fakt sepse 7 rufetet janë krenaria e Pazarit të Ortodoksëve. Pas 66 vitesh, numri i rufeteve shkon në 8, por prej tyre gjithnjë shquhen vetëm 7- të “Deri në vitin 1804, tetë esnafe: gëzofpunuesit, këpucëbërësit, lëkurëregjësit, rrobaqepsit, kasapët, opingarët, arpunuesit dhe samarpunuesit, i dhuruan kishës Burimi Jetëdhënës 943,3 asllanë dhe 250 grosh. Kurse në vitin 1833, shtatë esnafe: i këpucarëve, i lëkurëregjësve, i gëzofpunuesve, i rrobaqepësve, i kasapëve dhe i opingarëve i dhuruan kishës 1090 grosh.
Numri i esnafeve në Pazarin e Ortodoksëve arriti deri në 11, por në vitin 1861 asnjë prej tyre nuk ekziston. Të gjithë kanë falimentuar. Disa prej zanatçinjëve kishin vdekur kohë më parë, disa ishin ende gjallë. Kjo gjë thuhet edhe në përshpirtjen e kryepriftit: “Të bekuar të krishterë të këtij qyteti, klerikë laikë burra e gra, sot duhet të përmenden dhe të kujtohen nga Kryeprifti ynë të gjithë ata etërit tanë dhe prindërit dhe të afërmit e secilit, të këtij qyteti, që prej fillimit që u ndërtua Kisha e Shenjtë e Burimit Jetëdhënës dhe e Mitropolisë, dhe i kanë dedikuar asaj, dikush shumë e dikush më pak, secili sipas mundësive, gjatë kohës që u ndërtua dhe arka e lasos dhe deri tani. Nga ceremonia e përshpirtjes kuptohet se rufetet e Pazarit të Ortodoksëve e kishin nisur jetën e tyre “që prej fillimit që u ndërtua Kisha e Shenjtë e Burimit Jetëdhënës dhe e Mitropolisë”. (Kisha filloi të ndërtohej më 1707 dhe përfundoi më 1725).
Përshpirtja vijon me fjalët: “Për ata sa janë në jetë le të thërresim i denjë shpërblimi i tyre. Ndërsa për të ndjerët i përjetshëm qoftë kujtimi i tyre dhe në fillim falim ndërtuesin e ndjerë të kësaj Kishe, Mitkon, i përjetshëm kujtimi. Më pasë të gjithë sa nga esnafët e këpucarëve kanë dhuruar kohë pas kohe, i përjetshëm kujtimi i tyre…”. (Kodiku i Mitropolisë së Shenjtë dhe Selasforit, 8 mars 1861).
Kjo formulë: “i përjetshëm qoftë kujtimi i tyre”, përsëritet për esnafin e tabakëve, të gunaradhëve, të rrobaqepsëve, të kasapëve, të këpucëbërësve, të bakallëve, të hanxhinjëve, të veshjeve për këmbët, të bakërxhinjëve dhe të dyfekxhinjëve.
(Nga sa dihet, Varoshi ka patur një han në lagjen “Penço”, nga i cili nuk ka mbetur asnjë gjurmë, pra nuk bëhet fjalë për hanet e Pazarit të Korçës, ndërsa ekzistenca e rufetit të dyfekxhinjve duket i pabesueshëm, pasi ortodoksët nuk shkonin ushtarë dhe nuk u lejohej mbajtja e armëve, të paktën deri në vitin 1910).
T’i rezistoje Pazarit të Korçës, të cilit i gëzohej Stambolli dhe Selaniku dhe i trembej Janina, nuk ishte e lehtë. Mbijetesa e Pazarit të Ortodoksëve as që mund të mendohej Tronditja e tij duhet të ketë filluar nga viti 1830. Në këtë kohë njerëzit e Mitropolisë dalin nëpër fshatra në kërkim të zanatçinjve. U luten të vijnë në Korçë, dhe nëse pranojnë ftesën, nuk do të paguajnë asgjë. Sipas Kodikut të Mitropolisë së Korçës, 12 mars 1830, “Ranë dakort rrethi i rrobaqepsëve, Jani i Kozma Kontakçiut nga fshati Floq, që të japë në vit tridhjet e pesë groshë dhe nëse vjen dhe qëndron këtu në Korçë, nuk do të japë groshë të tjera: vetëm këto më sipër sipas marrveshjes sonë”
E njëjta gjë ndodh edhe në fshatin Neveska, më 16 mars 1830: “Ramë dakort me esnafët e rrobaqepsëve nga Neveska për 35 groshë, që të japë secili në vit, dhe nëse vjen dhe qëndron këtu në Korçë nuk ka për të dhënë groshë të tjera përveç atyre më sipër, që përmenden në marrveshjen tonë”. Sigurisht, as ardhja e tyre nuk mund ta ndalte dot shkrirjen e Pazarit të Ortodoksëve.
Tashmë studiuesit mund të kuptojnë se kanë qenë duke shkruar për Pazarin e Ortodoksve dhe jo për Pazarin e Korçës. Në këtë Pazar të madh rufeti i tabakëve kryesohej nga Shaban Tabaku, tregtia e jashtme dhe e brendshme nga Seit Tyxhari dhe Rexhep Merdani. Për pasuri të madhe njiheshin edhe pronarët e haneve: Belul Efendiu, Orhan bej Pojani, familja e Zeqirajve etj. Administratorë të Pazarit të Korçës ishin Mytevelinjtë, pasardhësit e themeluesit të qytetit të Korçës.
Zanatçinjtë ortodoksë duhet t’i jenë ofruar Pazarit të Korçës pas prishjes së së pazarit të tyre, por me qenë se Pazari i Korçës kishte statusin e vakëfit, ortodoksët nuk kishin asnjë mundësi të ndërtonin apo të blinin dyqane, sepse prona e vakëfit as shitet, as blihet dhe as tjetërsohet, por ortodoksët mund të merrnin dyqane me qira, dhe kështu duhet të ketë ndodhur.
Kjo është e vërteta e Pazarit të Korçës. Pronarë të tij ishin pasardhësit e Mirahorit- Mytevelinjtë dhe myslimanët e qytetit të Korçës dhe askush tjetër. /tesheshi.com/