Nga Bashkim Kastrati
Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SSHKUK), i cili menaxhon Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) dhe Spitalet rajonale (SP), gjatë vitit 2015 është karakterizuar me keq-menaxhime të ndryshme. Sipas raportit të auditit, keq-menaxhimet kanë të bëjnë me mosrespektim të procedurave të prokurimit, mosrespektim të kontratave, mos-mbajtje e evidencave për kujdestari etj.
SHSKUK është organizatë e re buxhetore si pjesë e reformave në sektorin shëndetësor. Struktura e saj më parë ka qenë nën menaxhimin e Ministrisë së Shëndetësisë. Ekziston një numër i dobësive të qeverisjes brenda SHSKUK-së veçanërisht në lidhje me llogaridhënien e institucioneve të kujdesit dytësorë dhe tretësorë, menaxhimin e rrezikut dhe cilësinë e raportimit menaxherial.
Sipas raportit të auditit, në spitalet e përgjithshme në Prizren dhe në Gjakovë kishte keq-klasifikim të shpenzimeve për furnizimet e ndryshme, pasi që aty janë identifikuar pagesa të realizuara nga investimet kapitale e që është dashur të paguhen nga mallrat dhe shërbimet. Vlera e tyre ishte 71 mijë e 864 euro (në Prizren 37 mijë e 283 euro dhe Gjakovë 34 mijë e 584 euro).
sipas auditit, SHSKUK nuk kishte një plan vjetor të prokurimit, ndërsa kishte zhvilluar gjashtë procedura të prokurimit. Derisa në planet e prokurimit në QKUK, SP Gjilan, dhe SP Mitrovicë nuk ishte parashikuar koha e realizimit të procedurave të prokurimit. Planifikimi joefektiv ka bërë që furnizimet e artikujve të njëjtë të përsëriten disa here gjatë vitit. Blerjet ishin realizuar përmes procedurave të kuotimit të çmimeve dhe të blerjeve me vlera minimale.
Sipas auditit, në kontratën kornizë 24 muajsh për “Furnizim me material për kirurgji invazive në QKUK” ishte planifikuar vlera prej 102,280 euro, derisa vetëm në porosinë e fundit, një ditë para skadimit të kontratës është porositur material në vlerë 111,840 euro. Kjo për shkak të nevojave për këto materiale dhe frikës se nga zgjatja e procedurave të prokurimit për kontratën e re, do të mbeten pa stoqe.
QKUK kishte nënshkruar kontratë kornizë 24 muajsh për furnizim me inventar medicinal me vlerë të parashikuar prej 45,770 euro. Përkundër kësaj, furnizimi ka arritur vlerën 117,733 euro. Ekziston mundësia që deri në fund të periudhës së kontraktuar të realizohen furnizime tjera. Auditori konsideron se duhet dhënë rëndësi më të madhe planifikimit të saktë të sasive, marrë parasysh rregullat e reja të prokurimit të cilat e limitojnë devijimn nga sasitë e kontraktuara në +/- 30%. Ndërsa në spitalin e Ferizajt vlera e përbashkët e planifikuar për dy renovime ishte 11,800 euro, ndërsa punët e kryera kanë arritur vlerën 49,525 euro.
Sipas auditit, planifikimi i dobët i prokurimit, dhe mos specifikimi i afateve për realizimin e procedurave rezulton në vonesa në inicimin e procedurave të prokurimit, në mosrealizimin e buxhetit dhe në furnizime të njëjta me çmime më të larta.
Anonimet nënshkruajnë kontratën në vend të anëtarëve të komisionit pranues
Në QKUK është gjetur se tek kontrata “Furnizimi me oksigjen dhe gazra medicinal” në vlerë prej 17,652 euro, mungonin nënshkrimet e anëtarëve të komisionit të pranimit. Zyrtar të tjerë ishin nënshkruar në emër të anëtareve të komisionit pranues, mirëpo nuk kuptohet identitetit i tyre pasi nuk i kanë shënuar emrat por vetëm nënshkrimet.
“Nuk ishin hartuar planet për menaxhimin e kontratës “Mirëmbajtja e ndërtesave të QKUK-së” me vlerë vjetore 1,095,403 euro dhe “Sigurimi i QKUK-së” me vlerë vjetore 782,014 euro. Rrjedhimisht pagesat e kryera për këto shërbime nuk kishin të bashkangjitura raporte të detajizuara për mbarëvajtjen e këtyre shërbimeve, dhe për të dëshmuar kryerjen e shërbimeve dhe obligimeve konform kontratave në fjalë”, është e gjetura e radhës e auditit.
Gjithashtu, tek kontrata “Furnizim me gazra medicinale” më vlerë 83,980 euro, nuk ishte caktuar menaxheri i kontratës dhe nuk kishte raport rreth mbarëvajtjes së furnizimit. E gjetura tjetër tregon se kanë ndodhur vonesa në realizimin e punëve të kontraktuara tek “Renovimi i repartit të Dializës” që ishte paraparë të përfundoj në dhjetor 2015, ndërsa nuk është përfunduar deri në fund të auditimit, (maj 2016). Shkaku i kësaj qëndron tek mos përmbushja e dy pozicioneve sipas specifikave në kontratë me vlerë 9,697 euro.
Pranime të pajisjeve mjekësore pa u emëruar fare komisioni
Në spitalin e përgjithshëm në Ferizaj është gjetur se të tri raste të furnizimit me pajisje mjekësore me vlerë 52,345 euro nuk është caktuar komisioni për pranim të mallit. Pajisjet janë pranuar nga shefat e reparteve. Sipas rregullave financiare, malli duhet të pranohet nga një komision i përbërë prej tre anëtarëve. Ndërsa në spitalin e përgjithshëm në Prizren është gjetur se në dy raste me vlerë të përbashkët 1,950 euro, pranimi i mallrave ishte bërë nga një person i vetëm. Sipas rregullave financiare, malli duhet të pranohet nga komisioni i përbërë prej tre anëtarëve. E gjetura tjetër e auditit tregon se në gjashtë raste, zotimi i mjeteve ishte bërë pas nënshkrimit të kontratës.
“Në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan ne kemi gjetur në kontratën ”Renovimi në repartin e infektives dhe pulmologjisë” me vlerë 44,467 euro, kishte vonesa për rreth 9 muaj në realizimin e punëve. Penaltitë do të duhej të ishin 10% e vlerës së kontratës apo 4,447 euro, derisa operatorët ekonomik ishte penalizuar me vetëm 3,844 euro. Dy herë ishte bërë vazhdimi i kontratës kornizë 24 muajsh për shërbime të pastrimit, për shkak të vonesave në procedurat e reja të prokurimit”, thuhet në raport.
Urdhër-blerja ishte bërë pas pranimit të mallit
Po në këtë spital është gjetur se për pranimin e materialit shpenzues për hemodializë, në vlerë prej 24,307 euro nuk ishte caktuar komisioni për pranimin e mallit. Malli është pranuar nga drejtori i klinikës. Gjithashtu në katër raste, zotimi i mjeteve ishte bërë pas pranimit të faturës dhe në tri raste tjera, zotimi i mjeteve ishte bërë pas nënshkrimit të kontratës.
Në 6 raste me vlerë të përbashkët prej 94,716 euro urdhër-blerja ishte bërë pas pranimit të mallit. Por, sipas Udhëzimit Operativ të Prokurimit, për implementimin e çdo kontrate duhet të caktohet menaxheri i kontratës.
“Në 13 raste të testuara nuk ishin caktuar menaxherët e kontratave. Në spitalin e Përgjithshëm në Mitrovicë ne kemi gjetur se në katër pagesa me vlerë të përbashkët prej 132,063 euro, pranimi i mallrave ishte bërë nga një person i vetëm, dhe pranimi i barnave dhe materialeve shpenzuese në barnatoren e SP të Mitrovicës bëhet nga dy persona. Sipas rregullave financiare, malli duhet të pranohet nga komisioni i përbërë prej tre anëtarëve”, është e gjetura e radhës.
Auditi tërheq vërejtjen se mos ndjekja e procedurave të duhura të prokurimit dhe udhëzuesve përkatës duke përfshirë vonesa në përmbushje të kontratave, vazhdime të shumta të kontratave, planifikim jo real dhe pranimin e mallit pa komision të pranimit ka rezultuar në kontrolle jo efektive në fushën e shpenzimeve përmes prokurimit e cila rrit rrezikun për pagesa të parregullta dhe dëmtim të buxhetit.
Pajisja që është paguar mbi 18 mijë euro nuk gjendet në spital
Në këtë raport të auditit që paraqet parregullsi të shumta edhe në QKUK dhe spitale tjera rajonale. Ky institucion shëndetësor nuk ishte furnizuar me artikullin ushqimor/peshk nga korriku 2015 (ky produkt ishte ofruar me çmim shumë të ulët), përkundër faktit që ky produkt ishte i kontraktuar dhe ishte pjesë e menysë ushqimore. Po ashtu, kishte mungesë të furnizimit me mish, në krahasim me kërkesat dhe vlerën e kontraktuar. Përveç kësaj në depon ushqimore kishte sasi te mëdha të disa artikujve të cilat kishin mbetur si stok në depo.
E gjetura e radhës tregon se për spitalin e Vushtrrisë ishte paguar pajisja mjekësore (Ergometer dhe pacemaker) me vlerë 18,380 euro, e cila nuk ishte pranuar dhe nuk ekzistonte fizikisht në objektin e spitalit. Pagesa është realizuar duke u mbështetur në një marrëveshje të brendshme në mes të Spitalit dhe Operatorit Ekonomik.
“Ishte paguar “Pastrimi i hapësirave të brendshme dhe të jashtme të objektit të spitalit” me vlerë 5,334 euro pa u kryer shërbimet e kontraktuara. Në dhjetor 2015 janë paguar shërbimet për janar dhe shkurt të vitit 2016 dhe në shtatë pagesa me vlerë 171,054 euro nuk ka pasur raporte të menaxhimit të kontratave”, thuhet në raportin e auditit.
Ndërsa në Spitalin e Ferizajt është gjetur se ishte tejkaluar vlera e kontratës për “Furnizimin me oksigjen dhe oksidul”. Vlera e kontraktuar ishte 9,903 euro ndërsa vlera e paguar 19,410 euro.
Ndërkaq, në Spitalin e Mitrovicës është gjetur se kontrata në vlerë prej 3,815 euro, për mbikëqyrjen e punimeve tek “Ndërtimi i vrazhdë i qendrës se hemodializës” ishte bërë pas përfundimit të punimeve. Kjo do të thotë se mbikëqyrja është bërë pa kontratë dhe tek pas përfundimit është nënshkruar kontrata për mbikëqyrje.
Drejtorët e klinikave ia aprovojnë kujdestarinë vetvetes!
Auditi ka gjetur se planifikimet mujore të kujdestarive në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës (SHSKUK) nuk janë bërë saktë, pasi që ato dallojnë me kujdestaritë e mbajtura. Zëvendësimet e stafit bëhen pa ndonjë evidencë, stafi shëndetësorë nuk nënshkruhet individualisht në librat e kujdestarive, ndërsa kishte raste kur drejtorët e klinikave ia aprovojnë kujdestarinë vetvetes.
“Këto mangësi kanë qenë të shprehura në të gjitha klinikat e QKUK-së, spitalet e Prizrenit, Gjakovës dhe Mitrovicës. Në Klinikën e Emergjencës në QKUK, në Repartin e Anesteziologjisë në spitalin e Ferizaj, në Repartin e Hemodializës në Prizren dhe në Repartin e Emergjencës së spitalit në Mitrovicë, kemi vërejtur se nuk ka regjistra të shënimeve për mbajtjen e kujdestarive”, thuhet në raport.
Ndërkaq në spitalin e Ferizajt, pozita e drejtorit infermierik ushtrohet nga personi që nuk ka kualifikim adekuat për këtë pozitë. Ky zyrtar sipas sauditit, është me kualifikim të nivelit të mesëm. Edhe pse Statuti i Spitalit nuk e precizon kualifikimin e kërkuar për ketë pozitë, parimisht të gjitha pozitat udhëheqëse duhet të ushtrohen nga profesionist me kualifikime të larta. Auditi tërheq vërejtjen se angazhimi në pozitë menaxheriale pa kualifikim adekuat ndikon në arritjen e objektivave profesionale, dhe në performancën e përgjithshme të institucionit.
Sipas auditit, drejtori i SHSKUK-së ka marrë në konsideratë dhe është pajtuar me të gjeturat e detajuara dhe konkluzionet e auditimit, si dhe është zotuar se do ti adresoj rekomandimet e dhëna.
Kujtojmë se ditë më parë Prokuroria e Shtetit ka deklaruar se ka marrë të gjitha raportet e auditit dhe i ka ndarë tek prokurorët për të analizuar të gjeturat dhe shkeljet e ndryshme që janë gjetur në institucionet shtetërore të Kosovës. /tesheshi.com/