Reklamimet për zbritje të madhe të çmimeve në sezone të caktuara, në dyqanet në Prishtinë shihen si jo reale dhe vetëm mashtrime që u bëhen qytetarëve. Derisa qytetarët blerës kanë thënë për tesheshi.com se reklamat për zbritje nga dyqanet janë vetëm sa për ta tërhequr vëmendjen, sepse nuk janë reale.
Zbritjet e reklamuara deri në 70 për qind, nga shumë qytetarë shihen si jo reale dhe të pa vërteta dhe se bëhen me qëllim vetëm për t’i tërhequr konsumatorët. Në shumicën e rasteve, këto reklama për zbritje të produkteve të tyre ofrohen në ndërrim të stinëve, gjë që është e padobishme për qytetarët. Derisa, në dyqanet ushqimore zbritjet ofrohen vetëm kur produktet janë afër skadimit të tyre.
Selatin Kaçaniku, kryetar i organizatës “Konsumatori”, që është e vetmja organizatë që merret me ngritjen e çështjeve të konsumatorëve në Kosovë, ka thënë për tesheshi.com se fushata e dyqaneve, butikëve, supëmarketeve etj., për zbritje çmimesh deri në 80% di të bëhet agresive dhe monotone dhe si të tilla ato mund të arrijnë edhe efekte negative.
Ai thotë se disa paralajmërime ose oferta mund të jenë të sinqerta, por disa mund të jenë mashtruese dhe me qëllime jo të ndershme dhe e sjellin konsumatorin në lajthitje.
Kaçaniku thotë se paralajmërimet, shpalljet e uljes se çmimeve që i kanë mbuluar vitrinat e dyqaneve, do të duhej të ishin lajme të mira për konsumatorin, por për fat të keq, shumica prej tyre janë reklama mashtruese.
“Ndodh që çmimi është fryrë dhe mbi këtë çmim të “zbatohet ” ulja e çmimit , ndodhë që çmimi, gjatë kalkulimit të parë, të ketë qenë joreal ndaj edhe ulja duket tejet galante, tejet zemërgjerë, tejet e lartë. Është e pamundur, në rastin tjetër, që të ketë ulje çmimesh deri në 70 ose 80%, sepse kështu çmimi ulet nën koston e furnizimit apo prodhimit. Ndërsa, në rastet e uljeve të pandershme të çmimeve duhet reaguar dhe njoftuar mekanizmat e mbikëqyrjes dhe të inspektimit të tregut”, thotë Kaçaniku.
Sipas tij, se organizata të cilën ai e udhëheq, merr ankesa nga konsumatorët për raste të tilla, pasi që ata ndihen të mashtruar nga këto reklamime joreale, ndërsa kërkon të ketë më shumë angazhim nga institucionet në mbrojtjen e konsumatorëve.
“Kemi pasur ankesa të shumta, por jo edhe aq sa qenë provokuar konsumatorët nga këto mashtrime. Ankesa ka pasur edhe tek mediumet e informimit publik. Por, mendoj se konsumatori duhet përkrahur e inkurajuar më shumë në mënyrë që ai të bindet se kemi adresa ku dëgjohen dhe mund të realizohen ankesat që ai i shtron. Institucionet, Asociacionet dhe mekanizmat e mbikëqyrjes dhe të inspektimit të tregut dhe mbrojtjes së konsumatorit duhet të përmbushin obligimin ligjor që qytetarin konsumator ta informojnë, arsimojnë, edukojnë dhe vetëdijesojnë për të drejtat dhe obligimet.
Natyrisht se dhe zyrtarët e tyre dhe bizneset duhet po ashtu vetëdijesuar për obligimet ligjore, për etikën profesionale dhe për të drejtat, interesat e dinjitetin e konsumatorit”, mendon Kaçaniku, duke shtuar se për të gjitha këto janë duke punuar edhe në këtë muaj brenda se cilit është edhe Dita Botërore e të Drejtave të Konsumatorit.
Qytetarët nuk u besojnë reklamave për zbritje
Menaxheret e dyqaneve në Prishtinë thonë se çmimet që ata reklamojnë janë reale. Mirëpo të gjithë shitësit nuk dëshironin që të prononcoheshin për portalin me arsyetimin se shefat e tyre ua kanë ndaluar
Ndërsa qytetarët e ankohen për çmime të larta dhe nuk u besojnë reklamimeve të shumta që vendosën në dyqanet e tyre. Sipas tyre reklamimet e tilla janë formë e tërheqjes së konsumatorëve, ndërsa zbritja e çmimeve nuk është reale. Gëzim Bajraktari, ka thënë për tesheshi.com se aksionet dhe reklamat për zbritje deri në 70 për qind, janë vetëm reklama, dhe asgjë më shumë, duke i quajtur zbritjet si të pavërteta.
“Është vetëm një reklamë, sepse zbritja nuk është e vërtetë. Mendoj se zbritje ka kohë pas kohe, mirëpo jo në atë masë sa reklamojnë dyqanet. “Çmimet janë paksa të larta, dhe nuk janë reale. Reklamat më shumë vihen nga dyqanet për ta tërhequr vëmendjen e blerësve”, thotë ai.
Adelina, një qytetare nga Prishtina thotë se çmimet jo nuk janë reale, në bazë të përvojës që ka pasur ajo. “Kam pasur ka qenë 50 për qind ajo zbritje nuk ka vlejtur për te gjitha rrobat, ose ka pas zbritje në të shumtën e rasteve vetëm sa me tërheq klientë më shumë. Por edhe ai 50 përqindëshi nuk ka qenë real në rroba, siç ka qenë e reklamuar dhe arsyetimi i shitëseve ka qenë se është harxhuar malli me atë zbritje. Zakonisht zbritjet më të mëdha më së shumti janë formale se sa reale. Gjithashtu ka raste kur malli është në likuidim sezonal, ndodh që i njëjti produkt përsëritet me vite të tëra, vetëm se e dyfishojnë çmimin dhe pastaj e reklamojnë si zbritje të, që nëse llogaritet i bie me qenë çmimi real, pra nuk ka fare zbritje”, shprehet ajo.
Ndërsa Njomëza, një qytetare tjetër, ka rrëfyer për tesheshi.com një përvojë në lidhje me zbritjet joreale që çmimeve. “Kam planifikuar ta blejë një pallto për ditëlindjen e të fejuarit, e cila kushtonte 50 euro, kur kam shkuar pas një muaji për ta blerë në butik kishte njoftim që ka zbritje për 50 për qind për të gjitha produktet dhe të them të drejtën u gëzova, por kur shkova ta blejë e pashë që e njëjta pallto çmimin pa zbritje e kishte pasur 99.90 euro dhe me zbritje ishte prapë 50 euro dhe e bleva, pasi që e kisha planifikuar, por zbritje reale nuk pati”, thotë ajo.
Ligji sanksionon mashtrimin e konsumatorëve, vetëm duhet të zbatohet
Që nga viti 2004 është në fuqi Ligji për Mbrojtjen e Konsumatorëve. Ky ligj përcakton, rregullon dhe mbron të drejtat themelore të konsumatorëve gjatë blerjes së mallrave, shërbimeve dhe formave të tjera në tregun e lirë. Ligji në fjalë siguron mbrojtjen e shëndetit, mjedisit, dhe interesave ekonomike të konsumatorit.
Ky ligj sanksionet manipulimet e ndryshme që iu bëhen qytetarëve. Neni 29 i këtij thotë se Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, realizon mbrojtjen e konsumatorit duke detyruar zbatimin e këtij ligji nga ana e subjekteve prodhuese, tregtare
dhe shërbyese. Ndërsa, neni 36, paragrafi 1, specifikon qartë se “për çdo të drejtë që shkelet, konsumatori ose shoqata për mbrojtjen e konsumatorit mund të ankohet pranë organeve administrative kompetente, të ngarkuara me ligj për mbrojtjen e konsumatorit.
Sipas këtij ligji, personi fizik apo juridik i cili bën publikim mashtrues apo publikim krahasues që nuk lejohet, gjobitet me shumë prej 2.500 € deri në 10.000 euro.
Mbikëqyrjen e zbatimit të këtij ligji e ushtron inspektori kompetent qendror si dhe inspektorët tjerë komunal në pajtim me kompetencat e përcaktuara me ligj. /tesheshi.com/