Në një speciale për Zërin e Amerikës, një ndër emrat e njohur ndërkombëtare në krye të Reformës në Drejtësi, Shefja e ONM-së Genoveva Ruiz Calavera, ka vlerësuar si pozitive sulmet që po i bëhen sidomos procesit të vettingut. Kjo pasi ajo i përkthen ato si sukses të këtij procesi pastrimi në drejtësi.
“Sulmet në rritje ndaj reformës në drejtësi, Vetting-ut dhe ONM-së, vëzhguesve ndërkombëtarë dhe misioneve tona të asistencës së BE në këtë drejtim janë shumë domethenëse.
Këto pretendime janë të pabazuara dhe të papranueshme, por ne i shohim ato si një konfirmim që Vetting-u po trondit themelet e një sistemi të korruptuar. Shpresojmë që ndryshimi në gjyqësor të forcojë profesionalizmin, aftësinë dhe guximin e magjistratëve të sapoemëruar për të luftuar korrupsionin.
Disa ditë më parë, me rastin e përurimit të Pallatit të ri të Drejtësisë në Tiranë, unë ndoqa një ceremoni diplomimi të Shkollës së Magjistraturës. Unë isha shumë krenare që pashë gjyqtarë dhe prokurorë të rinj që merrnin detyrën dhe të betoheshin për t’i shërbyer Kushtetutës”, tha Ruiz Calavera, zyrtarja e njohur spanjolle e Brukselit.
Nga ana tjetër, ajo ka dhënë garanci se vettingu nuk ka asnjë indikacion politik.
“Janë marrë masa serioze për të siguruar ekuilibrat dhe garancitë e nevojshme për pavarësinë e organeve të vetingut, në veçanti për të siguruar mungesën e ndonjë roli vendimmarrës ose përfshirjes së nivelit politik në to.
Vëzhguesit tanë ndërkombëtarë po monitorojnë nga afër çdo hap të vendimmarrjes në të gjitha rastet e vetingut.
Deri më tani, nuk ka asnjë të dhënë për ndërhyrje politike ose presion tjetër të padrejtë të jashtëm apo të brendshëm”, thekson Genoveva Ruiz Calavera, shefja e ONM. /tesheshi.com/