Qeveria spanjolle aprovoi të premten një marrëveshje që do t’u mundësojë SHBA-ve të kenë një bazë të përhershme ushtarake në Moron de la Frontera, pranë Seviljes, për misione në Afrikë.
Marrëveshja i lejon amerikanët që të dislokojnë 2200 trupa ushtarake në këtë bazë, një personel prej 500 civilësh, si dhe 26 avionë. Baza ka aktualisht 850 ushtarë. Në të do të jenë në gjendje të dislokohen përkohësisht dhe 14 avionë të tjerë, e një personel shtesë prej 800 personash.
SHBA-të do të investojnë 26 milionë euro (29 milionë dollarë) për infrastrukturën rreth dhe brenda bazës, duke krijuar dhe mundësimi punësimi.
Forcat amerikane u dislokuan fillimisht në Moron në prill të vitit 2013, pas një sulmi mbi konsullatën e SHBA-ve në Bengazi.
Prania e përhershme ushtarake e Komandës së Afrikës (AFRICOM) do t’i bëjë më të lehta misionet në rajon për mbrojtjen e ambasadave amerikane, e po ashtu misionet e shpëtimit, si dhe ndërhyrjet në konfliktet dhe në krizat humanitare.
Zëvendëskryeministrja spanjolle, Soraya Saenz de Santamaria, tha se, “Synimi është të kontribuohet për stabilitetin e rajonit dhe të sigurisë së përgjithshme në Afrikë, Europë, e në Lindjen e Mesme.”
Sekretari amerikan i Shtetit pritet ta vizitojë Madridin më 31 maj, për të nënshkruar marrëveshjen me homologun e tij spanjoll, Jose Manuel Garcia-Margallo.
Më tej, që marrëveshja të hyjë në fuqi, do të duhet që parlamentet e të dy vendeve ta aprovojnë atë. /tesheshi.com/