Bullgaria ka protestuar zyrtarisht ndaj deklaratës së cilësuar si “fyese” të presidentit francez Emmanuel Macron të bëra në një intervistë, ku tha frazën “bandat bullgare”.
Macron foli për politikën e migracionit të vendit të tij, duke thënë se “ai preferon të ketë migracion të paligjshëm, të regjistruar, me kuota, mbi x vjet, sesa aktivitete të paligjshme”.
“Unë preferoj të kem njerëz që vijnë nga Guinea ose Bregu i Fildishtë në mënyrë të paligjshme dhe që vijnë për të punuar, në vend të bandave bullgare dhe ukrainase”, ishte ajo çfarë tha presidenti francez, duke provokuar irritim dhe te Sofja zyrtare.
“Unë mendoj se ajo që tha presidenti Macron ishte fyese për komunitetin bullgar në Francë”, tha ministrja e Jashtme bullgare Ekaterina Zaharieva, duke shtuar se ajo i kishte kërkuar ambasadës bullgare në Francë të paraqesë një notë proteste në Ministrinë e Jashtme franceze.
Në të njëjtin kontekst, ambasadori francez në Sofje u ftua të hënën në Ministrinë e Jashtme Bullgare për të shpjeguar intervistën.
Kryeministri bullgar Bojko Borisov tha të shtunën se kishte dëgjuar nga Macron versionin e tij, pas pretendimit se fjalët i ishin keqinterpretuar.
“Ai më siguroi që nuk kritikoi qytetarët bullgarë, punëtorët ose institucionet”, shkroi Borisov në Facebook.
“Si kryeministër, unë nuk do të lejoj askënd të ofendojë popullin tonë dhe shpresoj që situata të tilla të mos ndodhin përsëri,” përfundoi kryeministri bullgar. /tesheshi.com/