Kuvendi nuk do të zhvillojë seancë këtë javë, megjithëse në ditët e para pati punime me orëtë zgjatura, duke dhënë idenë se ligjvënësit e kishin marrë shumë seriozisht këtë legjislaturë.
Por një sms ka mbërritur në telefonat e deputetëve ku i njoftonte se këtë të enjte nuk do të kishte seancë dhe kjo ishte vendosur me konsensusin e drejtuesve të grupeve parlamentare, të mazhorancës dhe opozitës.
Burime parlamentare bëjnë të ditur se ligjvënësve u është kërkuar të përgatiten mbi Aktin Normativ, që pritet të diskutohet javën e ardhshme, por edhe të kenë vëmendjen në zonat e tyre, ku janë deleguar.
Akti Normativ ka të bëjë me ndryshimet në buxhetin e shtetit. Një ndër to është edhe mbështetja me 3 miliardë lekë të sektorit energjitik për të përballuar situatën e krizës së prodhimit për shkak të mungesës së reshjeve.
Ndër ndryshimet e tjera janë edhe disa rialokime për investimet publike, ndërkohë që është parashikuar reduktimi i shpenzimeve të interesave me 4.1 miliardë lekë, si rezultat i menaxhimit efektiv të borxhit publik.
Nëpërmjet këtij Aktit Normativ është shtuar fondi rezervë i Këshillit të Ministrave me 1,2 miliard lekë dhe parashikohet të përdoret vetëm për emergjencat që lidhen me faktorë natyrorë. /tesheshi.com/