Shoqëria shqiptare ka marrë goditjen e radhës, duke qenë sa spektatore e sa protagoniste, në atë që është konsideruar skandal pedofilik, konsumuar në shkollën e Babrrusë. Aty, roja, Abaz Dogu, mbi të 60-at, ka rezultuar një monstër pedofilie, duke abuzuar për mbi një vit me një nxënëse 15-vjeçare. Por flitet se të njëjtën gjë ka bërë dhe me të tjera nxënëse, së paku duke i ngacmuar.
Ajo që duhet veçuar në këtë rast, është fakti se ngjarje të tilla, si reflektim të një degradimi moral në disa vatra shoqërore, më rëndë në institucione arsimore, po serviret si diçka e vonë te ne, në Shqipëri, njëherësh duke e politizuar. Por nuk është kështu. Jemi thjesht në momentin kur nuk është ngjarja por konteksti informues mbi të keqen, më saktë ai mediatik.
Siç kjo e Babrrusë, më herët dhe ngjarja e Kavajës, pa roje shkollë por vetëm me nxënës protagonistë, kanë ekzistuar në çdo kohë, madje që para viteve ’90. Diferenca me të djeshmën e të sotmen është thjesht roli mediatik. Media e sotme, një furi informuese pa asnjë filtër, ku një pozitë të fuqishme ka dhe ajo sociale, nuk le gjë pa “zbuluar” e pa publikuar. E kjo bën që shumë fenomene, edhe pse ekzistente në të djeshmen e afërt apo të largët, por të papublikuara apo trajtuara, të ngjajnë sikur ndodhin për herë të parë në këto kohë.
Për ilustrim, duke qëndruar të skandalet seksuale në shkolla, një e tillë, plot të ngjashme, ka qenë, siç është dhe sot, në mes të Tiranës, pavarësisht se ç’roje ka te dera.
Në fund të viteve ’80, duke u prekur ’90, artistikja “Jordan Misja”, një shkollë që ka bërë historinë e arsimimit artistik shqiptar, përflitej deri për orgjira mes nxënësve, ku për këto zgjidhej dhe taraca e shkollës. Po në këtë shkollë, atë kohë, qarkullonin të parat letra për lojë-letrash, me pamje pornografike në njëjën anë. Ndodhte kjo, edhe nga fakti i përbërjes sociale të shkollës; shumë nxënës vinin nga rrethet, e duke qenë larg familjes, tërhiqeshin pas sëmundjeve të kohës, ku ato imoralet ishin më provokueset, të sjella aty nga nxënësit e pjacës së Tiranës, edhe asaj artistike, që për vetë moshën tërhqeshin pas aventurave me Rock and Roll në sfond. Dhe atëherë ishte në modë që dehjes muzikore t’i shtoheshin dhe dy dehje të llojeve të tjera.
Pra, ajo që ka ndodhur në Babrru, edhe në Kavajë me herët, nuk është plagë e kohës së sotme, aq me pak me indikacione politike; është shumë më e hershme dhe për një sërë faktorësh kompleksë, jo vetëm lokalë por dhe globalë. Për këtë të fundit, mjaft të kujtojmë Revolucionin Seksual të vitit ’68 në Francë, nxitur dhe diktuar nga një lëvizje studentore, me efekte në të gjithë botën moderne. Pra, rrënjët janë shumë më të thella dhe e tejkalojnë më dekada e kilometra Besa Shahinin.
Sa për një paralele, në kohën kur “Jordan Misja” ishte “pulla e kuqe” e Tiranës, ministër Arsimi ishte Skënder Gjinushi, për hir të së vërtetës, në terma arsimorë e jo politikë, ndër më të mirët që ka patur Shqipëria nën komunizëm. /tesheshi.com/