Nga Bekim Laci
Sot mbushen 23 vjet që kur Hajrush Ziberi, ky shqiptar i thjeshtë prej Maqedonie, atë kohë 24 vjeç, pra në lulen e rinisë, do provonte egërsinë e pashembullt serbe, si një epilog për atë lloj egërsie që do të pasonte më pas me boshnjakët, e vite më vonë me shqiptarët e Kosovës.
Hajrush Ziberi ishte nga fshati Llaskarcë i Shkupit. Në ish-Jugosllavi njihej emigrimi i brendshëm, ku jo pak shqiptarë ngjiteshin në republikat e mësipërme, kryesisht Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë, për të punuar. Kështu dhe Hajrushi kishte shkuar për të punuar si kamarier në Bosnjë.
Historia e tij lidhet me shkrimtarin nga Belinja, Jusuf Trbiq, i cili publikoi fotografinë shoqëruar me thirrjen që të identifikohet i riu, pas së cilës disa ditë më vonë kishte marrë një telefonatë nga Maqedonia, kur dikush i thoshte se djali në foto ishte një i afërm i tij, i quajtur Hajrush Ziberi.
Po çfarë kishte ndodhur atë ditë të kobshme, atë mëngjes të kobshëm për të?
Atë mëngjes prilli, Hajrushi ishte nisur për në punë, por është kapur nga paramilitarët serbë, gjë të cilën e ka regjistruar fotografi Ron Haviv, ku shihet shqiptari i gjunjëzuar me duar të ngritura. Në bazë të dëshmisë së fotografit Haviv, Ziberi më pastaj është dërguar në një ndërtesë ku është torturuar e është hedhur nga kati i dytë.
Nuk ka ndërruar jetë, pasi siç shihet në një foto tjetër (kjo shkrepur nga Srgjan Iliq), paramilitarët e kanë ngritur dhe i kanë hedhur ujë mbi kokë.
Por më pas ata e kanë vrarë Hajrushin dhe trupin e tij e kanë hedhur në lumë, për t`u gjetur një muaj më pas, pikërisht më më 4 maj të vitit 1992
Në vitin 2004, Hajrushi është rivarosur në fshatin e tij, ndërsa në kohën e vrasjes kishte vetëm tre muaj martesë.
Hajrushi i ndjerë sigurisht që nuk është i vetëm në këtë histori. Veç vrasjes, fati i tij i keq është se çfarë ka hequr atë ditë është dokumentuar me figurë, duke u shndërruar kështu në simbol fatkeq i nisjes së një epoke të çmendur në ish-Jugosllavi, ku serbët do shkruanin ndër faqet më të errëta në historinë e ekzistencës së tyre, duke vrarë e masakruar me mijra e mijra “Hajrushër” për një dekadë me rradhë. /tesheshi.com/