Nga Bashkim Kastrati
Zyra Kombëtare e Auditimit të Kosovës për çdo vit evidenton shkelje të shumta në institucionet shtetërore, përfshirë këtu ministritë, komunat, ndërmarrjet publike dhe agjencionet e pavarura.
Këto shkelje kryesisht kanë të bëjnë me fushën e prokurimit, mekanizëm ky që konsiderohet si gjenerator korrupsionit në Kosovë.
Në institucionet e lartcekura ku më shumë e ku më pak, ka shkelje të shumta që janë gjetur nga auditi. Si favorizime në tenderë, nënshkrim të kontratave pas fillimit të punëve, moskryerje të punëve me kohë, inkasim jo të mirë të të hyrave, mungesë të evidencave gjatë inkasimit, pagesa të parregullta, shkelje të kontratave etj, etj.
Qindra raporte të tilla për çdo vit publikohen nga auditi dhe shumë pak prej këtyre të gjeturave merren si bazë nisjen e hetimeve dhe ngritjen e aktakuzave ndaj zyrtarëve që kanë keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare. Rastet kur prokuroria ka ngritur hetime duke u bazuar në të gjeturat e auditit mund të numërohen në gishta.
Ndërkohë, deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha ka ngritur në Kuvendin e Kosovës çështjen e gjetjeve të auditit të përgjithshëm duke thënë se këto raporte tregojnë se po dëmtohet imazhi dhe buxheti i Kosovës.
Ai ka pyetur se a ka prokurori ky shtet për shkak se një institucion tregon për shkeljet ligjore dhe keqpërdorimet, derisa prokuroria është në gjumë.
“Mbi 600 shkelje të gjetura. Shkeljet vazhdojnë në ministri, komuna dhe agjencionet, por unë po ndalem te Ministrinë e Arsimit, ku janë keqpërdorur mbi 750 mijë euro pa kontratë”, ka thënë ai.
Berisha ka thënë se vet fakti që Kuvendi nuk ka votuar propozimin e presidentes për postin e auditit të përgjithshëm, tregon se koalicioni dëshiron të ketë nën kontroll edhe këtë institucion.
Të gjeturat e auditimit duhet të procedohen tutje nga institucionet e drejtësisë
Në lidhje me këtë çështje tesheshi.com ka pyetur edhe Zyrën Kombëtare të Auditimit, se sa janë të kënaqur me prokurorinë dhe se sa kjo e fundit i merr për bazë raportit e auditimit.
Qëndresa Mulaj, nga kabineti i zyrës së auditimit ka thënë për tesheshi.com se kanë një bashkëpunim korrekt me të gjitha institucionet e vendit përfshirë edhe Prokurorinë e Shtetit. Ajo thotë se ka raste kur ia dërgojnë ndonjë raport të auditimit prokurorisë, ndërsa shton se të gjitha raportet e auditimit janë publike.
“Në rastet kur gjatë punës sonë audituese hasim çështje të cilat vlerësojmë se duhet drejtuar Prokurorisë, ne bëjmë informim adekuat lidhur me gjetjet tona, edhe pse raportet e Auditorit të Përgjithshëm janë dokumente publike. Procedimi i mëtejshëm i rasteve të tilla është plotësisht në kompetencën e organeve të drejtësisë dhe Zyra Kombëtare e Auditimit vepron në kuadër të përgjegjësive të ndara institucionale”, thotë Mulaj.
Reflektimi i Prokurorisë së Shtetit
Besnik Osmani i cili udhëheq me Zyrën Kombëtare të Auditimit, me 3 tetor të vitit të kaluar ka deklaruar se prokuroritë duhet t’i marrin më seriozisht të gjeturat që publikohen nga Zyra e Auditit të Përgjithshëm. Sipas tij, mosmarrja e masave nga organet e drejtësisë ka bërë që shumë rekomandime të auditimit të mos zbatohen nga institucionet publike. Implementimi i rekomandimeve sipas tij, nuk është i kënaqshëm.
“Prokuroritë kanë në dispozicion gjithë punën e auditorëve. Shkalla e implementimi të rekomandimeve të auditorëve tregon se nuk po merren me seriozitet rekomandimet e auditorit”, ka deklaruar Osmani.
Ai ka vlerësuar lartë punën e auditit, duke thënë se deri më tash askush nuk i ka kontestuar të gjeturat e tyre.
Osmani ka shtuar se nuk është në dijeni se sa zyrtarëve iu është ngritur aktakuzë apo janë marrë masa ndëshkuese, pas publikimit të të gjeturave të auditorëve.
Si duket këto deklarata publike kanë mobilizuar Prokurorinë e Shtetit. Një ditë pasi që Besnik Osmani ka adresuar këto kritika ndaj prokurorisë, kjo e fundit ka lëshuar një komunikatë përmes së cilës është zotuar se do t’i trajtojë të gjitha raportet ku janë gjetur shkelje.
“Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit njofton opinionin se të gjitha raportet e pranuara nga Auditori i Përgjithshëm, menjëherë sapo i ka pranuar i ka dërguar në prokuroritë kompetente dhe ka kërkuar nga të njëjtat që të fillojnë veprimet hetimore sipas ligjit”, thuhet në komunikatë.
“Andaj, asnjë raport i pranuar nga Auditori i Përgjithshëm nuk do të mbetet pa u shqyrtuar nga prokuroritë kompetente të Republikës së Kosovës. Po ashtu, siç është njoftuar opinioni edhe më herët, çështjet e prokurimit do të trajtohen me prioritet, ashtu siç janë pajtuar në takimet e Kryeprokurorit të Shtetit me Auditorin e Përgjithshëm dhe me Drejtorin e agjencisë Kosovarë Kundër Korrupsionit”, përfundon komunikata.
Në lidhje me këtë çështje tesheshi.com ka dërguar pyetje në zyrën për informim të Prokurorisë së Shtetit, por edhe pas pritjes për një javë, ky institucion nuk ka kthyer asnjë përgjigje. /tesheshi.com/