Nga Vepror Hasani
Në vitin 1913 Korça kishte 15.453 banorë. Dhjetë vjet më pas, më 1923, popullsia e saj u rrit me 10.145 të tjerë. Gjithsej, numri i banorëve shkoi në 25.598 veta. U bë qyteti më i madh i Shqipërisë. Ndërkohë, gjatë vitit 1916-1918, nga zia e bukës kishin vdekur 5 mijë veta. Kjo do të thotë se Korça ishte rritur jo me 10 mijë, por me 15 mijë banorë!
Çuditërisht, rritja e popullsisë kishte ndodhur gjatë viteve të pushtimit grek, (1912-1916), dhe gjatë viteve të pushtimit frances, (1916-1920)! Si ishte e mundur, qytetet në kohë pushtimesh rrudhen, ndodh që edhe vdesin.
Rritje natyrale nuk mund të ishte. Nga kishin ardhur vallë këta banorë? Kush i solli? Si erdhën kaq shumë njerëz në të njëjtën kohë?! Studiuesit të mbetur të habitur nga kjo histori, nisën të gjenin arsyet.
Urbanisti Pirro Thomo jep këtë shpjegim:
“Ky numër kaq i madh ka përfshirë dhe shtesën e popullsisë së fshatrave të djegur gjatë luftrave ballkanike e botërore që gjeti strehë në Korçë…” (Pirro Thomo, Korça urbanistika dhe arkitektura, f. 32)
Konkuluzioni i Thomos qëndron, por nuk është e vërteta e plotë. Ata që u detyruan të kërkonin strehim të përkohshëm në Korçë ishin myslimanët e fshatrave të djegura nga ushtria greke, por ka edhe një të vërtetë tjetër: mijëra njerëz u sollën me dhunë nga grekët. Ata ishin ortodoksë. Faktet gjenden në kronikat e kohës.
Të parët që braktisën fshatrat e tyre ishin myslimanët e Devollit, sepse që andej po vinte greku:
“Më parë se të hynj në Korçë ushtria greke, andartët kishin plakosur më të shumtat katunde të Devollit, shumica e ndënjësve të cilave qenë myslimanë. Në ato katunde mësuam që andartët grekër bënë shumë plaçkë dhe doqnë mjaft shtëpira të myslimanëve, të cilët pa afruar ushtria greke kishin fryrë, (ikur), në Korçë dhe kishin lënë të shkreta shtëpitë e tyre me gjë e pronja, (prona). Po edhe në Plasë, në Kuç, në Dishnicë, në Mborje, në Kamenicë dhe gjetkë, andartët grekër së bashku me ushtarë, rrëmbyen tërë pothuaj plaçkat dhe mobillat e mira të shtëpive të shqiptarëve dhe doqnë shumë shtëpira të ca agallarëve dhe bejlerve…” (Petro Harizi, Historia kronografike e Korçës, f.31)
Kur hynë në Korçë, dhanë ultimatumin: myslimanët të largohen brenda ores…
“Gra, burra, djem, vajza, dyke qarë, dyke lebetitur, më të shumtët më këmbë, të paktët me kafshë, ca mbathur, ca zbathur, ikën më të shpejt dhe nuk vështronin prapa…”. (Petro Harizi, “Historia kronografike e Korçës, f. 120-121)
Histori të tilla janë të shumta, për këtë arsye nuk po zgjatemi më shumë. Grekët mbërritën me një qëllim të kobshëm ngulitur në mendjen e tyre: të zbrasnin rajonin e Korçës nga myslimanët e të sillnin në Korçë sa më shumë ortodoksë me shpresën se kështu do të bënin të mundur aneksimin e Korçës!
1914-a mbeti viti i barbarizmave çnjerëzore. Atdhetarët dolën në mbrojtje të vendit. Nuk i kursyen as jetët e tyre:
“Nga të plagosurit dhe të vrarët mundmë të marrim gjithë emrat nga doktori i spitalit: Mehmet Ibrahim Dushari, Mehdi A. Leskoviku, Haxhi S. Kolea, Sefer A. Kolonja, Xhafer J. Kolonja, Istref Çeçan Starova, Iljaz Kamenica, Ali I. Përmeti, Sefer B. Opari, Muhtar A. Bilishti, Ysen Vh Përmeti, Veli A. Kamenica, Mahmud Sulejman, Isuf K. Starova, Çerçiz M. Starova, Ymer H. Starova, Feta Sh. Orija, Ibrahim Myslim Moçani, Jajah Mehmet, Beqir Ali Dibra, Ajdar Ib Kolonja, Arif Jashar Orija, Rustem Alit Orija, Hysni Jakup Orija, Alush M. Kolonja, Hysen G. Starova, Dmir J. Orija, Shaqan Ahmet Orija. Të dy të vrarët, Rizaj dhe Refati, janë xhandarë të oficerit Demir Aliu, të cilët ranë dëshmorë në fushën e luftës”. (Gazeta “Koha”, e enjtë, 15 maj 1914)
Në këtë kohë gazeta “Koha” nuk botohej rregullisht, ndaj informacione të shumta mbajnë të njëjtën datë, (datën e botimit të gazetës), por ngjarjet kanë ndodhur në ditë të ndryshme. Informacionet mbi të vrarët dhe të plagosurit nuk reshtin:
“Të vrarë: Jakup Shahin Strelca, Bajram Rakip Sadurishta, Xhemal Maksut Krosnishti, Nauman Çaush Çeresniku,
Të plagosur: Hysen Garipe, Myslim Qerim Moçani, Fetah Shaban Dollogozhda, Kadri Pasho, Demir Ibrahim Karustushtë, Qerim Sali, Hysen Jakup, Arif Jashar, Rustem Ali, Çerçiz Maksut, Hysen Hamit, Isuf Kapo Grosnishti, Ibrahim Veli, Haxhi Shaqir, Iljaz bej Kamenica, një djalë nga Kozeli”. (Gazeta “Koha”, e enjte, 15 maj 1914)
Ndërsa luftohej, turma të tëra njerëzish linin rajonin e Korçës dhe niseshin drejt Vlorës. Gjendja ishte alarmante. Për t’u ardhur në ndihmë njerëzve, krijoheshin komisione pas komisionesh.
U krijua Komisioni i Pojakëve që do të interesohej për ruajtjen e pronave të të ikurve:
“Kryetar, Sadik Kapedani. Anëtarë: Emin Rakip Aga, Riza bej Zavalani, Haki Abidin Efendi dhe Sadik Voskopi”.(Gazeta “Koha” e shtunë, 24 maj 1914)
U krijua komisioni i marrëdhënieve dhe i të dërguarëve, që bënin takime me vendas dhe të huaj: “Kryetar Emin Efendi, anëtarë: Maliq Bej, Ahmet Efendi, kryekatundari (kryetari i Bashkisë), Shaqir Efendi, Emin Efendi, Rakipi Aga, Abedin Efendi Mborja, Miçe Çikozi, ( ka dhe një emër tjetër, por nuk lexohet), Abidin Efendi Tregtari, Xhafer bej Luarasi, Mehmet Ali Bej, Rakip Aga Jemenli, Andrea Turtulli” (Gazeta “Koha” e shtunë, 24 maj 1914)
U krijua komisioni i të ikurve, që do të interesohej për ta:
“Kryetar Abdyl bej Ypi. Anëtarë: Riza bej Zavalani, Tefik Rushiti (Panariti), Qani bej Dishnica, Stavre Karoli, Petraq Kondi, Kristo Dako, Sadik Voskopi dhe Mustafa Mborja” ( U krijuan edhe komisione të tjera). (Gazeta “Koha” e shtunë, 24 maj 1914)
Ndërsa myslimanët largoheshin nga trojet e tyre, ortodoksët merreshin me forcë dhe i sillnin në Korçë. Këtë të vërtetë e mësojmë edhe nëpërmjet një letre të Kristo Dakos, dërguar më 21 maj 1914, Presidentit Amerikan Willson. Ja çfarë thuhet në letrën e tij:
“Në fshatin Selenicë të Kolonjës ishin djegur 60 shtëpi, dhjetë prej të cilave janë shtëpi të të krishterëve, pjesa tjetër myslimane. Të gjitha shtëpitë myslimane, me përjashtim të katër, janë djegur më 1 maj. Të gjithë të krishterët janë marrë me forcë nga trupat greke…”. Vini re me kujdes! Ortodoksët rrëmbehen nga ushtria dhe diku i çojnë… Por për ku vallë?…
E njëjta gjë ndodh edhe më fshatrat e tjera:
“Bezhani, fshat i krishter shqiptar, 90-100 shtëpi, vetëm një shtëpi është djegur. Aktualisht vetëm tri familje jetojnë atje dhe rreth 20 gra të moshuara . Pjesa tjetër e popullsisë është marrë me forcë nga trupat ushtarake greke….”
“Zgorovoda, 38 shtëpi gjithsej, nga të cilat 28 të shqiptarëve të krishterë dhe pjesa tjetër e shqiptarëve myslimane. Të gjitha shtëpitë shqiptare myslimane janë djegur, popullsia shqiptare e krishterë është me forcë nga trupat e rregullta greke…”
“Kreshova, fshati me 26 shtëpi, prej të cilave 7 i përkasin shqiptarëve myslimanë, pjesa tjetër e shqiptarëve të krishterë. Të gjitha shtëpitë e shqiptarëve myslimane janë djegur. Dy shtëpi i përkasin shqiptarëve të krishterë të cilët ishin, Lazo i ëmbëltores dhe Thani i Kreshovës, janë djegur. E gjithë popullsia e krishterë është marrë me forcë nga ushtria greke… ” ( Letra është mjaft më e gjatë) (Mizoritë e tmerrshme greke në rajonin e Korçës. Letër e Kristo Dakos për Presidentin amerikan Willson)
Kështu ndodhi edhe me banorët e fshatrave të Vakëfeve (zona e Panaritit): Orgockë, Grabockë, Treskë, Trebickë, Panarit, Katund etj. Që të gjithë u sollën në Korçë.
Masakra e Panaritit ishte një nga aktet më barbare greke:
“Masakra e panaritit mbetet një nga krimet më të mëdha të asaj kohë: “Qeveria greke e Venizelosit në kuadër të realizimit të ëndrrës së Vorio-Epirit, krahas vrasjeve të popullsisë shqiptare në krahinën e Kolonjës, Përmetit, Korçës etj, nëpërmjet ushtrisë së saj dhe të andartëve grekë të liruar nga burgu i Kretës, nga data 2 deri në 10 Korrik të vitit 1914, theri si bagëti, me thika, sëpata e hanxharë 375 gra, burra, pleq dhe fëmijë, dogji 150 shtëpi si dhe shkaktoi dëme të tjera. Mizoria e këtij gjenocidi tërhoqi edhe vëmendjen e Fuqive të Mëdha, saqë Lordi Lamington më 28 Korrik 1914 i bën thirrje Qeverisë së Anglisë që të reagojë kundër masakrave greke që po kryhen në Shqipërinë e Jugut”. (Letra e Gani Vilës, Drejtor i Televizionit të Shqiptarëve të Amerikës, drejtuar Kryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, akademikut Gudar Beqiraj)
Pra, gjithçka është e qartë: njerezit e rrëmbyer me forcë i sillnin në Korçë. Grekët synonin zbrazjen e territoreve nga myslimanët dhe popullimin e Korçës me ortodoksë, me shpresën se këta të fundit do të ngriheshin për të kërkuar bashkimin me Greqinë!
Madje që me ardhjen e princit Jorgo të Greqisë (birit të mbretit Kostandin) në Korçë, më 16 maj 1913, dhespoti Gjermanos krijoi batalionet e ashtuquajtura “të shenjta”, (Ieros loqos). Rreth 1000 burra ortodoksë u rekrutuan si ushtarë, u pajisën me armë dhe u stërvitën për qëllimet e qeverisë greke:
“Është e vërtetë që ca nga ca ndo njëmijë korçarë u shkruan në këtë trupë ushtarake “ieros lohos” që më 20 gjer më 55 e 60 vjeç…”. (Petro Harizi, Historia kronografike e Korçës, f. 37)
Kjo ishte arsyeja e sjelljes së mijëra ortodoksve. Ata do të krijonin lagjet e reja të Korçës, të quajtura ndryshe “lagjet e Varoshit”, të cilat do të shtriheshin përtej bulevardit “Shën Gjergji”, në pjesën e poshtme të bulevardit “Republika”, i quajtur ndryshe “Viktor Emanuel III”. Por, si do të bëhej i mundur strehimi tyre? Si do të sigurohej ushqim për ta? Si do të përballeshin me rrezikun e përhapjes së sëmundjeve?
Historia vijon.
Nëse dëshironi të dini diçka më shumë, si u krijuan lagjet e Varoshit, cilat ishin peripecitë e pafundme të të ardhurve etj, na ndiqni në shkrimin e radhës. Gjithçka do të jetë e rrëfyer mbi bazë faktesh.
/tesheshi.com/