Eksperti i Këshillit për Marrëdhënie me Jashtë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Charles Kupchan, beson se në takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë, mund të dalin me një marrëveshje paraprake, që i hapë rrugë marrëveshjes finale.
Në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë, Kupchan, tha se beson se një takim i këtij formati, do të ishte e çuditshme që të organizohej në rast se gjithsecili, në fund, do të kthehej në shtëpi pa pasur çfarë të prezantojë.
Me 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë takohen delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë për të nisur një raund të ri negociatash të mbështetura nga Shtetet e Bashkuara. Kjo po ndodh në një kohë kur edhe Bashkimi Evropian i ka intensifikuar përpjekjet për t’i kthyer palët në tavolinën e bisedimeve. Cila është pikëpamja juaj sa i takon takimit të 27 qershorit?
Mendoj se shumë gjëra po bashkohen për të përcaktuar pistën për takimin. Njëra është ndryshimi i qeverisë në Kosovë ku e kishit kryeministrin (Albin) Kurti, një person që ishte më ngurrues sa i takon dialogut dhe që nuk ishte i gatshëm që të largonte sanksionet tregtare që ishin vendosur ndaj Serbisë. Ne ende nuk e dimë saktësisht se ku qëndron në disa çështje të ndryshme kryeministri i ri, zoti (Avdullah) Hoti. Ai ka bërë një deklaratë që dukej se shfaqte distancë mes tij dhe presidentit (Hashim) Thaçi, por Thaçi qartësisht vazhdon të jetë në kontroll dhe në udhëheqje të negociatave me Beogradin. Pra, një çështje është se ju keni një ndryshim të qeverisë dhe ju keni edhe largimin e tarifës, që hapin derën për të lëvizur.
E dyta është se (Richard) Grenelli ka lënë pozitën e ambasadorit në Gjermani dhe ai ka më shumë kohë dhe energji që t’ia dedikojë Ballkanit dhe qartësisht është duke u futur në atë çështje.
E treta, mendoj se presidenti (Donald) Trump, do të ishte i lumtur që të kishte një fitore, një lloj përparimi diplomatik në orën e tij, sepse ai nuk ka pasur shumë sukses në diplomaci.
Derisa Mirosllav Lajçak erdhi në Kosovë të martën në përpjekje për të ringjallur negociatat për normalizim të raporteve, nuk është e qartë nëse do të jetë një dialog i ndarë në dysh apo proceset do ta plotësojnë njëra-tjetrën. Cili do të jetë roli i BE-së në këto bisedime që do të ndodhin pas pak ditësh në Uashington?
Mendoj se jemi dëshmitarë sesi dialogun mes Kosovës dhe Serbisë është duke u shndërruar në një grackë, që do ta cilësoja si pika më e ulët e raporteve mes SHBA-së dhe BE-së në shumë dekada, mbase që nga Lufta e Dytë Botërore. Nuk është sekret që administrata e presidentit (Donald) Trump ka marrë një pikëpamje në raport me Evropën që shumica e evropianëve e konsiderojnë të vështirë edhe kur bëhet fjalë për tregti, ndryshime klimatike apo edhe marrëveshja bërthamore me Iranin. Dhe Grenell, derisa ishte ambasador në Gjermani, ishte gati person “non-grata” në Gjermani sepse shumica e gjermanëve e konsideronin atë të padobishëm dhe thjesht nuk mund të mbështetësin në mënyrën se si ai kryente punët.
Kështu, ne kemi dialogun mes Kosovës dhe Serbisë duke luajtur një element tjetër në marrëdhëniet jomiqësore në mes të SHBA-së dhe BE-së. Në këtë rast konkret, mendoj se ka dallime të mendimeve. Ne nuk e dimë se ku qëndron zoti Grenell sa i takon shkëmbimit të territoreve sepse nuk ka folur shumë për këtë çështje. Në shkallën që ka folur ai, duket më i fokusuar në lidhjet ekonomike sesa që është në kompromise territoriale.
Çfarë mund të prodhojnë bisedimet në Uashington? A është e mundur që Kosova dhe Serbia të lënë pas mosmarrëveshjet e së kaluarës?
Do befasohesha shumë sikur nga takimi i Uashingtonit të dilnim me ndonjë lloj marrëveshjeje. Këto lloj arritjeje zakonisht nuk shfaqen brenda natës. Mendoj se kjo, sidomos është e vërtetë në një rast sikur të Kosovës dhe Serbisë, ku duhet që të kryen shumë detyra të shtëpisë, për të bërë gati popullatën e brendshme, përfshirjen e parlamentit si dhe krijimi i mbështetjes së brendshme për marrëveshjen. Pra, më shumë kjo është për të bërë gati tavolinën për të ecur përpara, por do të shohim.
Nga çfarë ka thënë (Richard) Grenell, ata duan që t’i fokusojnë këtu bisedime më shumë në lidhje ekonomike sesa kompromise politike. Kjo do të ishte konsistente me qasjen e administratës së presidentit (Donald) Trump në raport me konfliktin palestinezo-izraelit, ku fillimisht janë fokusuar në ndihmën ekonomike për palestinezët, pra duke krijuar kushte ekonomike për të arritur paqen. Synimi këtu është që, le të përmirësojmë ekonominë në Kosovë dhe Serbi, t’iu gjejmë njerëzve punë të mira dhe nëse kjo ndodh, do të jetë më e lehtë që të bëhet një marrëveshje politike.
Nëse do të ketë vetëm qasje në ekonomi. A mund të përjashtohen kompromiset?
Përfshirja ekonomike dhe zhvillimi ekonomik tani është një zëvendësim për zgjidhje politike. Ne e kemi mësuar këtë në shumë raste. Investimet e përbashkëta në mes serbëve të Bosnjës dhe myslimanëve të Bosnjës, nuk ka ndihmuar. Kemi investime të përbashkëta mes palestinezëve dhe izraelitëve, por në të vërtetë nuk ndihmon aq shumë. Japonia dhe Kina tregtojnë dhe investojnë me njëra-tjetrën, por marrëdhënia e tyre është shumë e varfër. Pra, në fund të ditës, vendosja e raporteve mes Serbisë dhe Kosovës do të lidhet me politikën dhe normalizimin. Nuk do të varet nga tregtia dhe investimet. Kur them këtë, tregtia dhe investimet mund të ndihmojnë, mund të shtyjnë raportin në drejtimin e duhur. Mund të krijojë momentum që mund të jetë i nevojshëm kur liderët marrin vendime të vështira dhe kanë nevojë t’ia shesin publikut.
Ish-kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka akuzuar Richard Grenellin për nguti në arritjen e marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë si dhe që marrëveshja do të përfshijë ndryshimin e kufijve. A do të jetë kjo temë në agjendë?
Është e vështirë të spekulohet. Besoj se dimë që çështja e korrektimit të kufijve apo shkëmbimit të territorit ka qenë temë diskutimi për një kohë të gjatë. Është një çështje ekstremisht kontroverse, derisa administrata Trump dhe Qeveria amerikane u prirën për ta kundërshtuar atë. Padyshim, do të bëhej shumë kontroverse në Kosovë dhe deri në një masë në Serbi. Supozoj se është në tavolinë, dhe supozoj vetëm sepse ne e dimë që Thaçi dhe Vuçiq kanë eksploruar këtë ide në të kaluarën, thjesht nga disa raportimet që i kemi. Unë jam dikush që besoj që duhet të jetë në tavolinë, jo sepse shpresoj se kështu do të shkojnë negociatat. Nuk jam ithtar i shkëmbimit të territoreve, por sidoqoftë pikëpamje ime është se sikur një shkëmbim territori ofron mënyrën e vetme për dy shtete që të afrohen me njëra-tjetrën dhe të që të kenë paqe të qëndrueshme, atëherë le ta kemi pjesë të diskutimit.
Si do të duket takimi në Uashington. A do të përfshihet edhe presidenti Donald Trump. Mund ta shohë këtë si mundësi për të takuar apo bërë fotografi me palët?
Mendoj se ende nuk i dimë konturat ekzakte të takimit. Nuk i dimë rezultatet. Nuk mendoj se ndokush e dinë. Është e mundur që pjesëmarrësit do të na befasojnë neve dhe të dalin nga kjo vizitë me një plan për marrëveshje. Kurrë nuk e dimë. Grenelli ka qenë i përfshirë që një kohë të gjatë. Ai ka pasur një sukses, për shembull që të përfundojë punën sa i takon linjës ajrore. Dyshoj se do të bëhej gjithë ky angazhim dhe çështjes s’do t’i kushtohej kaq shumë rëndësi, sikur të mos kishte së paku shpresë se një progres substancial do të mund të arrihej.
A mendoni se administrata Trump do të mjaftohej vetëm me rifillim të dialogut apo synojnë diçka më konkrete, sa i takon marrëveshjes finale mes Kosovës dhe Serbisë?
Ndokush mund të spekulonte se rezultati do të ishte një marrëveshje konkrete, le të themi konkretisht në çështje tregtare, ndoshta edhe ndërprerja e kampanjës së çnjohjes dhe një udhërrëfyes se si të shkojmë nga këtu drejt normalizimit të plotë. Pastaj ky udhërrëfyes do të mund të shërbejë si bazë për bisedat e vazhdueshme për të ecur përpara.Mua më duket se këto bisedime duhet të përfshijnë BE-në.
Në rastin e Serbisë, Serbia llogarit që së paku të marrë diçka për të “shpëtuar krenarinë”, pasi që herët apo vonë mund ta njohë Kosovën dhe në këmbim të kësaj llogarit të përfitojë diçka. Vuçiq ka thënë që është shumë më rëndësi që në betejën e elefantëve, Serbia të mbetet e parënduar. Si duhet parë këtë deklaratë?
Udhëtimi për në Uashington është një hap i rëndësishëm që shkakton kokëdhimbje në Evropë, por nuk e pres që kjo të jetë një lëvizje për të lënë anash në mënyrë permanente Evropën. Pres që të jetë një proces i vazhdueshëm dhe i fortë diplomatik në mes të BE-së, Prishtinës dhe Beogradit.
Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar më parë se nuk ka çfarë të negociojë me të dërguarin e BE-së, Mirosllav Lajçak. Por, njëjtë si presidenti Thaçi, ashtu edhe Vuçiq siç duket po preferojnë më shumë negociatat e mbështetura nga SHBA-ja. Si duhet parë këto qëndrime dhe rolin e BE-së?
Lajçak është një profesionist. Ai e di se çfarë po bën. Është në interes të Prishtinës dhe Beogradit që të punojnë për së afërmi me të dhe me BE-në. A po e shohim tani një anim nga Uashingtoni dhe SHBA-ja duke luajtur rolin e liderit në arritjen e marrëveshjes? Po. A mund të presim që kjo të pasojë me një rikthim në drejtim të Bashkimit Evropian? Po. Kjo sepse Ballkani është pjesë e Evropës. Ballkani është duke synuar anëtarësimin në BE, kështu që BE-ja duhet të jetë pjesë e kësaj ekuacioni.
Moska zyrtare ka njoftuar se përkrah një marrëveshje që është e pranueshme për Serbinë. Para nisjes për Uashington, presidenti Vuçiq do të qëndrojë në Moskë. A po përpiqet që të marrë mbështetje nga Rusia për këtë çështje?
Vuçiqi ka provuar gjithmonë që të mbrojë vendimin e tij dhe duke mbajtur lidhje të ngushta me Rusinë. Ndërsa, Rusia gjithmonë synon që të ketë prezencë në Ballkan. Ne e kemi parë përfshirjen e Rusisë në Mal të Zi para anëtarësimit në NATO. Ne e dimë se ata janë përfshirë në Greqi dhe Maqedoninë e Veriut para rezolutës mbi çështjen e emrit. Vuçiqi është shumë i mirë në lojën me audienca të ndryshme. Kur dëshiron të luajë tek Evropa, e luan me Evropën. Kur dëshiron të anojë nga (Vladimir) Putini, ai e bënë këtë shumë mirë. Kur dëshiron të jetë pro SHBA-së, ai e bën edhe këtë mirë. Kjo është një nga asetet e tij si politikan.
A mund të ketë ndikim pozitiv në kampanjën zgjedhore të presidentit Donald Trump arritja e mundshme e ndonjë marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë?
SHBA-ja tani po dominohet nga dy çështje shumë të rëndësishme. E para është pandemia dhe tjetra është racizmi pra, protestat që janë duke u mbajtur në mbarë shtetin. Mendoj se këto dy çështje do të vazhdojnë të dominojnë deri në zgjedhjet e nëntorit. Politika e jashtme mund të marrë pak fokus, por jo shumë. Besoj se Trump mund të përdorë diçka nga ajo për të thënë se ‘ja shih unë isha në gjendje që të arrijë një marrëveshje, unë jam negociator i zoti, arritës i marrëveshjeve’. Për momentin nuk ka diçka që do të mund ta përdorte. Kështu që ndoshta ai në këtë drejtim është duke shikuar kah marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë. Por, edhe sikur të kishte sukses, do të kishte ndikim shumë modest ose fare pak në rezultatin e zgjedhjeve të nëntorit.
A besoni se presidenti Trump do të ishte i kënaqur me vetëm nisjen e bisedimeve mes Kosovës dhe Serbisë apo atij i duhet së paku diçka e prekshme?
Unë pres që aty të ketë diçka të paktën. Do të ishte e çuditshme që të organizohej një takim i madh si ky dhe gjithsecili të kthehej në shtëpi pa pasur çfarë të prezantojë. Unë pres të paktën një progres të prekshëm në çështje ekonomike dhe më pas një udhërrëfyes apo një afat kohor për çfarë do të ndodhë në ardhmen. /REL/