Nga Mensur Krasniqi
“Më lirë se hallva”- kështu mund të thuhet për çmimin të cilin një pjesë të rinjsh të Shkupit të inkuadruar nën shoqatën edukativo-kulturore “Racio” jua bënin prezantimit dhe shitjes së librave, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Librit. Dhe është e kartërta herë radhazi që kjo shoqatë, organizon shpërndarjen e librave me një çmim simbolik, ndryshe nga çmimi i tyre zakonshëm.
Sipas kryetares së Shoqatës “Racio”, Suhela Hasallari, 23 prilli. si në çdo vend tjetër, edhe në Maqedoni shënohet si Dita Botërore e Librit, me ç’rast edhe manifestohet nën organizime të evenimenteve të ndryshme. Mirëpo shoqata “Racio”, sqaron ajo, duke e njohur gjendjen e mjerueshme ekonomike të qytetarëve, po edhe dëshirën dhe pasionin për lexim, ka vendosur që t’ju servirë të gjithë dashamirësve të leximit libra më çmim “më lirë hallva”, nga 3 shtëpitë më të mëdha botuese “Logos-a”, “NUN” dhe “FURKAN-ISM”.
“Është viti i katërt që ne si ahoqatë organizojmë prezantimin dhe shitjen e librave pranë xhamisë “Murat Pasha” në Çarshi të vjetër. Siç e shihni, edhe vet këtu gjenden libra të shumta nga 3 shtëpi botuese. Duhet t’u jemi falënderues atyre, si dhe të gjithë atyre të cilët kanë dëshirë të lexojnë, meqë këto libra, vetëm brenda 22 dhe 23 prillit jepen me ulje të madhe. Për këtë shkak, edhe interesi i qytetarëve për çdo vit është në rritje”, deklaroi Suela Hasallari për portalin tesheshi.com.
Në stendat e servuara për lexuesit kishte libra me tematika të ndryshme si të karakterit fetar ashtu edhe kombëtar, shkencor dhe deri në poezi për fëmijë.
Gjithashtu, për të qenë transparent dhe korrekt ndaj bashkëqytetarëve tjerë, shoqata “Racio” ka bërë prezantimin dhe shitjen edhe të disa nga librave në gjuhën maqedonase.
Sipas Hasallarit, është për t’u theksuar se për dallim nga vitet e kaluara, këtë herë hapjen e aktivitetit shoqata “Racio” e ka bërë në mënyrë më madhështore duke organizuar akademi përkujtimore për të ndjerin mësuesin dhe poetin, Ramadan Zejneli.
“Nuk kishte si të përshtatet më mirë Dita e Librit përpos me një akademi përkujtimore të një figure si Ramadan Zejnelit. Në këtë formë kemi dashur të bëjmë një ndërlidhje të mrekullueshme në mes këtyre dy aktiviteteve që ndërlidhen mes vete për nga tematika e tyre”, shtoi Hasallari.
Qendra “Racio” premtoi se do të vazhdojë organizimin e aktiviteteve që do të mundësojnë krijimin e një kulture leximi, por edhe me aktivitete në shenjë përkujtimi të personaliteteve që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm me veprat e tyre në shoqëri.
Kujtojmë se ideja e përkujtimit të Ditës Botërore të librit e ka origjinën e vet në Spanjë, në zonën e Katalonjës, ku atij që blinte një libër i dhurohej edhe një trëndafil. Ndërsa 23 prilli është shpallur si Dita Botërore e Librit më 15 nëntor 1995, me një rezolutë të UNESCO-s. /tesheshi.com/