Krerë të policisë shqiptare vijojnë të përligjin zbythjen e kolegëve të tyre në bazë në incidentin e Elbasanit, duke ofruar sofizma të natyrës profesionale, si “ishte natë”, “nuk e prisnin atë reagim”, “rasti përbënte rrezikshmëri për jetën”, “mund të humbej jeta…” e të tilla të cilat me logjikën më të thjeshtë njerëzore dhe për më tepër bazuar në kodin penal, gjersa dikush nuk i ndalon policisë, reagimi nga kjo e fundit duhet të ishte tejet energjik, dhe gjithnjë në planin momental.
Ndërkohë, ditët po kalojnë dhe njeriu që mbasi e goditi automjetin e nr. 2 të policisë së Elbasanit, dhe më pas u largua me qetësi olimpike drejt sarajeve të tij fitimprurëse, jo vetëm që është në liri por dhe ka hapur proces ndaj policisë.
Kjo e fundit po jep shfaqjen më të shëmtuar përsa ekizston në këtë shtet, në planin moral e profesional bashkë. Ajo po tenton t’ja hedh publikut si me “aspekte proceduriale” e si me justifikime naive për mosveprimin në terren.
Një dilemë është për t’u zgjidhur nga ajo çfarë kanë parë të vijojnë të shohin shqiptarët e çmeritur tek skena e Elbasanit: ç’zë në nënvetëdije apo dhe vetëdije i la policët si hunj para portës së hekurit që mbylljen qetësisht para tyre, nën komandën elektronike të një roje që as atij nuk ia bënte syri tërr: ajo e frikës për një të forti ordiner që nuk ta përton, apo ajo e një të forti politik të cilin nuk bën ta ngacmosh?
Dhë vëreni: roja i gjorë është pas hekurave, eprori i tij jo.
Mjafton ky dystandartësh për të kuptuar se në ç’pikë degradimi kanë arritur organet ligjzbatuese në Shqipëri.
Këtë dy standartësh, mund ta vëresh dhe në një tjetër rast. Ditë më parë në Shkozë, në emër të ligjit forcat e rendit shkaktuan një ndër skenat me anti-humane. Nën të qarat e britmat e një fëmije, policët i arrestonin të atin pa asnjë qeder, e merrnin zvarrë për ta futur në automjet, ndërkohë që fare mirë, nëse do përdorej standarti i Elbasanit, mund ta kishi evituar për momentin si skenë për të reaguar në të tjera kushte. Shkelësi i ligjit aty ishte, nuk kishte ku të ikte. Dhe një polici profesionale, por dhe njerëzore njëkohësisht, i posedon të gjithë mënyrat reaguese, pikërisht pse është edhe profesionale edhe njerëzore. Por si duket kjo e jona nuk e ka as njërën e as tjetrën.
Dhe mjafton ky ballafaqim pamjesh:
Shihni si (nuk)zbatohet ligji në rastin e Elbasanit dhe më pas si zbatohet – brutalisht – në rastin e Shkozës:
https://youtu.be/YkJh4XTZ-xI