Partia Demokratike ka nisur proçedurat, për të ndjekur penalisht ministrin e Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Përmes deputetes Albana Vokshi, në një deklaratë për shtyp, opozita njoftoi se po përgatit një kallëzim penal me akuzën e shpërdorimit të detyrës. Dy ditë më parë, në një emision investigativ u publikua një audio-përgjim, ku ministri Beqaj shkarkoi me telefon drejtorin e Fondit të Detyrueshëm të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor në Tropojë, me motivin që nuk mori pjesë në një mbledhje partie.
“Hajdarmataj me shumë gjasa nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e të deleguarit të Partisë, Beqaj, e nuk ka marrë pjesë as në mbledhjen kur ishte Edi Rama. Këtë krim siduket nuk ia fal dot partia. Ilir Beqaj ka shkelur ligjin, dhe Partia Demokratike është e vendosur ta ndjekë deri në fund këtë çështje ndaj po përgatit një kallëzim penal. Ky rast tregoi edhe një herë se reforma në administratë e Edi Ramës ka dështuar, se vendet e punës tregtohen sipas interesit politik e partiak dhe nuk merret parasysh merita e zotësia. Janë më mijëra nënpunësit e administratës, që janë emëruar apo pushuar nga puna për arsye vetëm politike. Emërime me zarf nën dorë dhe shpërblime në kohë zgjedhjesh në këmbim të votës së familjarëve. Meritokracia me Edi Ramësn s’është më kriter e s’ka vlerë”,- tha Vokshi.
Ajo shtoi se, pas bërjes publike të skandalit në media, Ilir Beqaj tentoi të mbrohej duke sajuar një motiv që rezulton i pavërtetë për shkarkimin, gjë që e implikon atë edhe më tepër.
“Nëse drejtori i Fondit Tropojë Hajdarmataj ka paguar për 3 muaj një punonjës në mungesë, siç pretendon Beqaj, atëherë kjo do përbënte një vepër penale dhe ai duhet të kishte ngritur padi. Por fakti qe nuk e ka bërë padinë për këtë vepër penale, përbën në vetvete një vepër penale, pasi e ka fshehur (apo moskallzuar) krimin”,-përfundon deputetja demokrate./tesheshi.com