Ish-një ndër krerët e lartë të Policisë së Shtetit, Pjerin Ndreu, aktualisht deputet i PS-së, tha se fillesat e drogës në Shqipëri janë në vitet e para të qeverisjes së PD-së. Pra, pas viti 1992 e në vazhdim, duke lënë të nënkuptuar se përgjegjësinë kryesore për këtë fenomen e ka ish-qeverisja e asaj kohe, pra ajo e Meksit, apo politikisht ajo e Berishës.
Por në fakt, artikulimi politik i “drogës” nis më herët, që në periudhën e fundit të udhëheqjes së Ramiz Alisë, kur kryeministër ishte Ylli Bufi. Në fund të gushtit 1991, do vizitonte Shqipërinë ministri i Brendshëm italian, Vicenso Skoti. Dhe në të gjitha takimet me krerët e shtetit, do artikulohej fraza “bashkëpunim në luftën kundër krimit të organizuar, drogës dhe terrorizmit”.
Por fraza në fjalë duket se ka buruar vetëm nga konteksti i realitetit italian, pasi në raportimin gazetaresk të vizitës, thuhet se “ai u ndal veçanërisht në punën që po bëjnë forcat e rendit për stabilizimin e vendit, vendosjen e rregullit dhe qetësisë”, që do të thotë pra se problemet kryesore që kishte Shqipëria me rendin në atë kohë kishin të bënin më tepër me krimin ordiner e jo atë të strukturuar.
Aq më tepër që krahas “luftës kundër drogës”, fraza e artikuluar në takimet zyrtare përmban dhe atë “kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit”, koncepte ende të panjohura për Shqipërinë. Dhe duket pra, se vizita e ministrit Skoti atë kohë, pra në gusht të vitit 1991, vetëm sa ishte një shenjë paralajmëruese për autoritetet shqiptare se ç’farë i priste pak vite më vonë. /tesheshi.com/