Para kollofitjes së gjelit të detit, si zgjedhje allashqiptarçe, në kapërcyellin e viteve, për gazetarët e këtij vendi, kuptohet, ata të sërës së lartë, ka dhe një ndalesë tjetër: darka kryeministrore!
Një traditë e kryeministrit aktual, ajo shoqërohet para dhe pas shtrimit me kritika, lavdërime, përbetime për mosvajtje atje, por edhe me nënqeshje njerëzish që nuk ua ha qeni shkopin.
Në fund, të gjithë nënshtrohen, dhe fjala e Edi Ramës ndez me shpejtësi maksimale lavatriçen ku lahet e shpëlahet lajmi për darkën e shtruar me të gjitha të mirat.
Gojëhapur, me sytë sa nga pjata e sa nga kryeministri, shkruesit e prodhuesit e përditshëm të lajmeve presin të dëgjojnë perlat e lëshuara prej njeriut më të pushtetshëm de facto të vendit.
Gjen aty mes tavolinave nga ata që nuk lënë çast, minutë, orë e ditë pa e kritikuar kryeministrin, por, natyrshëm, edhe prej atyre që po aq dendur i lëpihen pa fund atij.
Dhe Rama nuk zhgënjen, siç nuk zhgënjeu as mbrëmë. I fton gazetarët për t’i fshikulluar, për të eksperimentuar me ta, për t’i lënë t’i shpërfaqin mëritë e urrejtjet e tyre, të pasqyruara në tekat e zgjedhjes së njerëzve përbri në tavolinë e në “picirin” e hequr nga Fuga për t’u dhënë zgjidhje atyre.
Me unin në kreshendo, i përmbushur si mos më mirë, pasi i ka rehatuar të gjithë, me nga një gotë verë të bardhë në dorë për ata që fjala e tij do ua bëjë kuq fytyrën, e me nga një gotë verë të kuqe në dorë për ata që e bardha e fytyrës as ka gjasa t’u ndryshojë, shoqëruar nga buzagazi tipik i tij, Rama nis avazin e vet të përhershëm: t’i shpërfillë të gjithë, aty!
E paraqet veten si kavie në duart e gazetarëve, si një fatkeq që duhet të durojë “bisturitë, thikat, gërshërët, gjilpërat, turjelat, frezat, sharrat, daltat, çekiçët, acidet…”.
I kënaqur nga të gjendurit në qendër të vëmendjes të atyre që më shpesh ia ngrejnë në qiell “meritat” e më pak ia vënë në pah të pabërat, Rama zgjedh t’u thotë se sa e pavlerë është fjala e tyre.
“E vërtetë, u mahnita. Uau! Sa shumë mund ishte derdhur këtë vit për të më bërë copa e çika… shumë fjalë që ishin thurur një vit pa pushim, një vit rresht, për të provuar me këmbëngulje sesa i telendisur, i kapur, i korruptuar, i pafuqishëm… i menderosur qenkam,… sa s’kam ç’i bëj gomarit dhe i bie samarit,…”.
Sajdisja e Ramës është ndryshe, është e tillë që një njeri për së mbari do ta bënte të këpuste qafën prej asaj gostie. “Zoti na ruajt të isha edhe unë gazetar si ju,” u thotë ai pa u menduar dy herë të ftuarve.
Dhe si për t’u thënë të begenisurve prej tij, jo prej dëshirës për t’i respektuar, por prej qejfit për t’i telendisur, se aq i bën në i bien pa pushim teneqesë, bën të ditur vendimin shpërfillës: “…kam bërë një zgjedhje të palavdërueshme, për të mos ju lexuar dhe dëgjuar thuajse fare drejtpërdrejtë…”.
Ca prej gazetarëve pjesëmarrës në darkën e vitit të shkuar zgjodhën të mos i përgjigjen ftesës këtë herë. Nëse kryeministri aktual ia del të qëndrojë në detyrë deri në fundin e vitit tjetër, e nëse numri i gazetarëve që vendosin të mos shkojnë në darkën për ta rritet, kjo është një shenjë e mirë për median. Në të kundërt, po qe se ata të mbrëmshmit prapë këmbët i çojnë atje, medet për ta! /tesheshi.com/