Më në fund dhe Rama shkoi e doli te Çani. Duhej të kishte qenë me kohë aty. Kjo falë një ane të natyrës së tij që e përfshin tek gallataxhinjtë par excellence. Nuk ka qenë për arsye të tjera, ekstra politike, dhe ky është një aspekt tjetër i degradimit të formatit komunikativ në Shqipëri, ku dhe udhëheqësia politike e sheh “Zonën” e Çanit si një hapësirë kumtuese. Shfaqja e Ilir Metës aty sapo u zgjodh president, pra, si kreu i shtetit, ishte shokuese.
Duhet sqaruar fillimisht se Çani nuk ka asnjë faj në këtë mes. Ai është vetvetja në atë emision, është krejtësisht original dhe bën atë që di të bëjë më mirë në këtë jetë: gallatën, të cilën e fut në ambalazhin e një talk show, ku nuk ka asnjë vijë ndarëse mes seriozes dhe qesharakes, dhe ku çdokush që shkon aty, sado serioz t’i duket vetja apo çështja për të cilën kërkon të flasë, nuk ka gjasë që ai dhe ajo, pra, çështja, të mos katandisen në një “mish për top” që Çani të dalë i famshëm!
Këtë kuptoi një mendje e zgjuar si e ajo e Ervin Hatibit, vite më parë, në fillesat e “Zonës së Lirë”, kur sapo e nuhati se kë kishte përballë dhe se për ç’ishte ajo lloj zone, u ngrit e iku live, në plan të parë për të ruajtur dinjitetin individual, e më pas, si padashur, për t’u përcjellë një mesazh të gjithë atyre që duan të kenë një fije respekt për veten që mos shkelin aty.
Për fatalitet, shembullin e tij nuk e ndoqi askush. Të sunduar nga një vanitet tipik provincial, u shfaqën në vite dhe vijojnë të shfaqen tek “Zona” në komunikim me Çanin gati e gjithë përfaqësia e elitës politike, mediatike, në raste të veçanta deri dhe akademike dhe intelektuale, si për të denoncuar falsitetin e vetvetes në shfaqjen e një skrupuloziteti. Veçohet në këtë rast si ulëritëse prania aty e Artan Fugës. Pra, njeriu që mëton se zotëron dhe promovon një mendim të elaboruar dhe gjithashtu të kultivuar në çështje të ndryshme, shkon dhe i zbërthen ato para Çanit, habisë së tij komike dhe përtallëse, dhe gjithashtu para audiencës së tij që afërmendsh përfshihet te kategoria e njerëzve që nuk u funksionon gjysma e trurit, e që po ashtu i kanë në gjendje pandjeshmërie totale gjendrat e respektit për veten. Apo prania e Ben Blushit, edhe në rolin e analistit, që i promovon idetë e tij librore krah ndonjë tyryfyçke gjysmëgollomesh që pret radhën për t’u përpunuar nga Çani. Ndërsa ky i fundit gëzon dhe statusin e një analisti, i nderuar me këtë titull të lartë nga Eni Vasili.
Dhe Edi Rama qe i paaftë për të na thënë se ca marrëzi në Shqipëri gjithsesi e kanë një fund, sidomos kur është fjala për “kazanin”. Me praninë te Çani, ai nuk e denoncoi “kazanin”, por e promovoi atë! Edhe faktin se ka dhe vetë një prani të tij brenda saj. /tesheshi.com/