Nga Bashkim Kastrati
Shëndetësia në Kosovës, ngjashëm si në Shqipëri, vijon të jetë shëmbëlltyra e shëmtuar e një vendi që keqqeveriset. Mjaft të thuhet se miliona euro vazhdojnë të shpenzohen për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore. Pothuajse çdo ditë dëgjohen thirrje për ndihmë në media apo në qytete, ndërsa shumat që kërkohen janë deri në 200 mijë euro për një rast. Për fatin e mirë të pacientëve, ato para shpesh grumbullohen, ndërsa për fatin e keq të Kosovës, ato para shkojnë jashtë vendit.
Sipas njohësve të fushës së Shëndetësisë, për çdo vit nga Kosova (duke përfshirë buxhetin e shtetit dhe pjesën që jep popullata) dalin rreth 300-400 milionë euro. Këto miliona që po dalin jashtë vendit me një vullnet dhe menaxhim të mirë do të mund të investoheshin në Kosovë, të bliheshin aparaturat përkatëse, të bëheshin trajnime për përdorimin tyre dhe pacientët të trajtoheshin brenda vendit, përkatësisht në institucionet shëndetësore publike.
Vetëm Ministria e Shëndetësisë gjatë vitit 2016 ka ndarë rreth 8 milionë euro për programin e dërgimit të pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore dhe një shumë e njëjtë thuhet të jetë ndarë edhe për këtë vit. Investimi i këtyre parave në klinika të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) do të mundësonte që pacientët të trajtoheshin aty, gjë që do të ishte e lehtë edhe për ta, ndërsa do të përfitonin sidomos ata që nuk e kanë asnjë mundësi për t’u trajtuar jashtë vendit.
Zyrtarë nga Ministria e Shëndetësisë, kanë deklaruar se gjatë vitit 2016 kanë mbështetur përmes programit për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore 1100 pacientë, nga gjithsej 1950 sa kanë kërkuar ndihmë.
Sipas zyrtarëve të MSH-së, patologjitë më të shpeshta që pacientët kanë kërkuar kanë qenë kardiologji dhe kardiokirurgji, fusha e oftalmologjisë, ortopedisë si dhe nga fusha e hematologjisë dhe hemato-onkologji. Janë këto katër lloje të sëmundjeve ku shpenzohet më së shumti për trajtim.
Në kuadër të klinikave ekzistojnë komisionet në përbërje të tre mjekëve specialistë, ku në fund nënshkruhet për referim të pacientëve që nuk mund të trajtohen brenda institucioneve publike shëndetësore. Trajtimi bëhet kryesisht për sëmundjet hematologjike e që nuk mund të kryhen brenda QKUK-së.
Investimi në QKUK i miliona eurove që po dalin jashtë vendit për trajtimin e pacientëve, do të ndikonte që shumica prej sëmundjeve që lartcekura do të trajtoheshin në QKUK. Ndërkaq për një përmirësim të dukshëm të shërbimeve në këtë institucion shëndetësor, është llogaritur se investimi i 60 milionë eurove do të ndikonte dukshëm në përmirësimin e shërbimeve dhe ofrimin e shumë shërbimeve që aktualisht nuk ofrohen në QKUK, që është institucioni terciar shëndetësor, pra institucioni më i lartë dhe profesional shëndetësor në Kosovë.
Mjekët janë të përgatitur, por mungojnë pajisjet mjekësore
Xhemajl Selmani, kryetar i sindikatës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka thënë për tesheshi.com se fakti që harxhohen shumë para për trajtim mjekësor jashtë sistemit shëndetësor, para së gjithash duhet të ishte alarmante për politikëbërësit e Kosovës, por edhe për mbarë shoqërinë.
Ai thotë se sa i përket shërbyesve shëndetësor, ata janë më të përgatitur se sa që pandehin politikëbërësit, por edhe shoqëria kosovare. Sipas tij, pothuajse pak probleme shëndetësore në QKUK nuk kanë kapacitete që të zgjidhen.
“Nuk na mungon profesionalizmi, as guximi. Shumica e trajtimeve mjekësore jashtë vendit janë të kushtëzuar nga mungesa e pajisjeve dhe materialit harxhues shëndetësor. Pa ekzagjeruar, në lëminë të cilën e ushtroj unë, jemi të përgatitur për zgjidhjen e 95% të problemeve shëndetësore, por jemi të kushtëzuar kryesisht nga mungesat e materialeve harxhuese të cilat i shfrytëzojmë në procedurat operatore”, thotë Selmani.
Ai thotë se për këto mungesa, kryesisht janë përgjegjës kreatorët e politikave menagjeriale dhe nivelet e larta politike të Republikës së Kosovës. Sipas tij, politikat e prokurimit dhe ndërhyrjet mafioze të akterëve të politikës dhe menaxhimit të dobët.
“Po e marr një shembull konkret. Në klinikën ku unë punoj, janë shfaqur mungesat e materialit të cilin ne e shfrytëzojmë (në fakt asnjëherë nuk ka pasur material të mjaftueshëm) në tetor të vitit 2015. Ne kemi bërë kërkesa të proceduara disa herë edhe brenda vitit 2016. Firma e cila e ka fituar tenderin është kontestuar nga një tjetër dhe nga muaji maj lënda ka qenë në shqyrtim të Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), e cila kontestin e ka zgjedhur në fund të muajit tetor 2016. Pas shumë përpjekjeve dhe alarmimeve, materiali i blerë na është sjellur para pesë ditësh. Ky material nuk është as 1/3 e kërkesave të klinikës ku unë punoj”, u shpreh Selmani.
U rekomandojnë pacientëve trajtim jashtë QKUK-së edhe për shërbimet që ofrohen aty
Xhemajl Semani thotë se gjatë gjithë kohës brenda një viti stafi mjekësor është detyruar që pacientëve t’iu japin rekomandime për trajtim jashtë QKUK-së dhe i drejtojnë në Ministrinë e Shëndetësisë.
“Pra ne është dashur që t’i drejtojmë pacientët tanë në trajtim jashtë QKUK-së edhe për punët të cilat ne i bëjmë. Kur kësaj ia shtojmë edhe denigrimet të cilat vazhdimisht na i bën opinioni politikëbërës dhe individë nga radhët e familjarëve dhe pacientëve, ky vargan rritet edhe më shumë”, theksoi Selmani.
Ai thotë se sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, popullata e Kosovës së bashku me shtetin, në të dy sistemet (privat dhe publik), në regjion dhe rajon (pra jashtë Kosovës), harxhohen rreth 400 milionë euro.
“Sikur të ishin mbetur të gjitha paratë në sistemin tonë shëndetësor, do të ishim me shëndetësi më të mirë dhe si shoqëri dhe shtet më i pasur”, thotë Selmani.
Ai mendon se për të pasur një shëndetësi më të mirë është e domosdoshme që të edukohen dhe sensibilizohen politikbërësit, të cilët duhet të heqin dorë nga interesat meskine dhe personale. Të përkrahen politikisht dhe materialisht ata që kanë dijen dhe guximin për rregullimin e sistemit shëndetësor. Të rregullohen mekanizmat ligjor si sigurimet shëndetësore, ligji për shëndetësi, decentralizimi dhe delegimi i përgjegjësive nëpër njësi veç e veç.
“Ministria e Shëndetësisë të merret me krijimin e politikave shëndetësore dhe sistemin e kontrollit. Jo të jetë institucion ku rehatohen bijat dhe dajallarët e partive politike. Më vjen keq sepse nuk ka vullnet politik dhe institucional për ndryshime të kësaj gjendjeje. Unë nuk po shoh dritë dhe as fund të tunelit. Por nuk do të dorëzohemi, pavarësisht se e ardhmja e shëndetësisë në Kosovë po vazhdon, kurset e gjuhëve të huaja dhe ne mosha mesatare po na afrohet afër të 55 tave! Nëse vazhdon ky trend shëndetësia do të mbetet pa profesionistë shëndetësor”, thotë Selmani. /tesheshi.com/