Shtëpia e Bardhë njoftoi të enjten sanksione të reja ndaj oligarkëve rusë, në përpjekjen e fundit të presidentit amerikan Joe Biden për të “shtrydhur” presidentin rus Vladimir Putin ndërsa pushtimi i Ukrainës përparon.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, individët nga lista e “miqve të Putinit”, si dhe anëtarët e familjeve të tyre, do të shkëputen nga sistemi financiar amerikan, prona e tyre në SHBA do të bllokohet dhe do të ndalohet përdorimi, shkruan CNN.
Shtëpia e Bardhë ka në shënjestër gjithashtu aleatin e Putinit, Alisher Burkhanovich Usmanov, “një nga njerëzit më të pasur në Rusi”, i cili do të privohet nga një super-jaht dhe një avion privat.
Shtetet e Bashkuara po sanksionojnë gjithashtu zëdhënësin e Putinit, Dmitry Peskov, të cilin Shtëpia e Bardhë e përshkruan si “shpërndarësi më i madh i propagandës së Putinit”.
Personat që do t’i nënshtrohen sanksioneve të bllokadës së plotë janë:
Nikolai Tokarev (së bashku me gruan e tij Galina, vajzën Maya dhe dy kompanitë e tij luksoze të pasurive të paluajtshme),
Boris Rotenberg (së bashku me gruan e tij Karina dhe djemtë Roman dhe Boris),
Arkady Rotenberg (së bashku me djemtë Pavel dhe Igor dhe vajzën Lilia),
Sergei Chemezov (së bashku me gruan e tij Ekaterina, djalin Stanislav dhe njerkën Anastasia),
Igor Shuvalov (së bashku me pesë kompanitë e tij, gruan Olga, djalin e tij Evgeny dhe kompaninë dhe avionin e tij, si dhe vajzën e tij Maria dhe kompaninë e saj),
Yevgeny Prigogine (së bashku me tre kompanitë e tij, gruan Polina, vajzën Ljubova dhe djalin Pavle),
Dmitry Peskov, sekretari i mediave i Putinit,
Alisher Usmanov (super-jahti i tij, një nga më të mëdhenjtë në botë i sapokapur nga Gjermania aleate, dhe avioni i tij privat, një nga avionët më të mëdhenj privatë të Rusisë).
SHBA do të vendosë gjithashtu kufizime për viza për 19 oligarkë dhe 47 anëtarë të familjeve dhe bashkëpunëtorëve të tyre të ngushtë. /tesheshi.com/