Administrata e presidentit amerikan Donald Trump po zhvillon bisedime sekrete me Hamasin për mundësinë e lirimit të pengjeve amerikane në Gaza, tha një burim i njohur me bisedimet për Reuters.
I dërguari i posaçëm i SHBA për çështjet e pengjeve, Adam Boehler ka negociuar drejtpërdrejt me Hamasin në kryeqytetin e Katarit Doha javët e fundit, tha një burim, duke konfirmuar raportin e Axios.
Shtetet e Bashkuara deri vonë kanë shmangur negociatat e drejtpërdrejta me grupin e armatosur palestinez, të cilin Departamenti Amerikan i Shtetit e cilësoi si një organizatë të huaj terroriste në 1997.
As ambasada izraelite në Uashington dhe as Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigjën kërkesës së Reuters për koment, ndërsa zyra e Boehler refuzoi të komentonte mbi këtë çështje.
Kthimi i Witkoff në rajon
Një burim i Reuters tha se bisedimet u përqëndruan në lirimin e pengjeve amerikane që ende mbahen në Gaza, por gjithashtu përfshinin diskutime mbi një marrëveshje më të gjerë për lirimin e të gjithë pengjeve të mbetura dhe mënyrat për të arritur një armëpushim afatgjatë.
I dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, planifikon të kthehet në rajon në ditët në vijim për të gjetur një mënyrë ose për të zgjatur fazën e parë të marrëveshjes së armëpushimit të Gazës ose për të kaluar në një fazë të dytë, tha të hënën një zëdhënëse e Departamentit të Shtetit. /tesheshi.com/