Nga Bekim Laci
Biografia sportive e Shaban Trstenës duhet të jetë një ëndërr e çdo sportisti në karrierën e tij, sepse bëhet fjalë për njeriun i cili është ngjitur në majën më të lartë të Olimpit.
Lartësitë e suksesit e kanë vendosur emrin e tij në piedestalin më të lartë të mundshëm, sepse të arriturat e tij, presin me dekada të tejkalohen nga dikush tjetër, pasiqë Shabani është rekordmeni i historisë së olimpizmit botëror, duke qenë fituesi më i ri i medaljes së artë, njëkohësisht shqiptari i parë me medalje të artë Olimpike.
Janë miliona sportistë që ëndërrojnë të kualifikohen në lojërat olimpike, dhe sigurisht jo shumë nga këta ia arrijnë këtij qëllimi, aq më shumë të shpallen kampion.
Medaljen e artë Olimpike Shaban Trstena e fiton në Lojrat Olimpike ne Los Angeles 1984, ndërsa nga sukseset e shumta të tij veçojmë vendin e dytë në Olimpiadën e vitit 1988 në Seul, ndërsa në vitin 1984 dhe 1990, kurorëzohet Kampion Evropian, tre herë kampion i Mediteranit, dy herë i treti ndërsa një herë i dyti në Kampionatin Botëror.
Në një bashkëbisedim, e pyeta se si është e mundur një djalosh nga lagjia e Jaja Pashës në Shkup, i lindur në familje të varfër, të mundë kundërsharët nga superfuqitë botërore të Mundjes, siç ishin rusët, bullgarët, amerikanët, mundësit e Iranit etj.: “Plot 40 vite kjo asnjëherë nuk është diskutuar, asnjëherë nuk është trajtuar në masën e nevojshme, për fat të keq ka qenë dhe akoma mbetet tabu, nga njerëzit, faktorë të rëndësishëm në jetën publike si atëherë por edhe sot. Kur jua tregoj pjesët e historisë gjatë rrugëtimit tim deri në olimp, befasohen, sepse ne nuk kishim kushte. Ne nuk kishim as banjo, nuk kishim as palestër”, rrëfehet Shabani, i cili që në fëmijëri kishte patur synim që një ditë të mbërrijë të bëhet si boksieri i njohur dhe me famë botërore, Muhammad Ali, por, në një sport tjetër luftarak, atë të mundjes: “Jetësimi i kësaj ëndrre kërkonte vetëmohim dhe përpjekje titanike gjatë ushtrimeve dhe përgatitjeve të pafundme siç ishin vrapimi pa mbarim nëpër rrugë, stërvitjet molisëse në palestra, deri te bërja realitet e ëndrrës”, thotë ai, i cili tregon se si fëmijë nuk ka patur jetë sociale, ashtu si bashkëmoshatarët e tij. “Kjo është sakrifica, nëse synoni lartësitë më të mëdha”, shton më tej.
Gëzimi i madh të cilin e përjeton Shaban Trstena me të fituar medaljen e Artë në lojrat Olimpike shndërrohet në dëshpërim, sepse siç thotë, kthimi në vendlindje ishte i tmerrshëm. Kampioni nuk pritet nga askush, përveç se nga familjarë dhe miq të afërt: “Ishte ky një turp i madh sepse kampionin Olimpik nuk dolën ta presin ashtu siç i ka hije. Dolën vetëm familja dhe shokët. Asnjë maqedonas nuk doli të më presë. Asnjë profesor i gjimnazit nuk doli të më priste përveç disa shokëve të klasës”.
Trstena, që dikur çonte peshë zemrat e miliona shqiptarëve, sot shprehet i zhgënjyer nga vet shqiptarët, sepse siç thotë, në 100-vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar, kishte pritur që së paku të respektohej me një mirënjohje publike nga Tirana zyrtare: “Gjatë sistemit të kaluar komunist injorohesha nga jugosllavët, ndërsa gjatë periudhës së sotme nga Prishtina dhe Tirana! Injorimi dhe mosmirënjohja gjatë ceremonisë me rastin e jubileut shekullor në 100-vjetorin e pavarësisë së shtetit shqiptar, më vrau dinjitetin tim. Asnjë institucion i shtetit shqiptar nuk e kujtoi veprën time, mundin tim”, thotë Shaban Trstena, i cili në vitin 1991 i kishte dërguar letër Tiranës zyrtare me ofertë që të garojë për Shqipërinë në Olimpiadën e vitit 1992 por që oferta e tij nuk ishte marë në konsideratë.
Ai tregon edhe për gabimet enciklopedike mbi jetëshkrimin e tij në brendinë e Enciklopedisë Shqiptare, në pjesën ku informacionet i dedikohen kampionit olimpik: “Janë shtrembërime dhe insinuata të papërgjegjshme të cilat sa janë tragji-komike aq janë edhe joprofesionale. Është e papranueshme dhe e pandershme kjo qasje amatore, sidomos kur bëhet fjalë për libra dhe vepra të këtij niveli, që për autorë kanë Akademinë e Arteve dhe të Shkencës së Shqipërisë”.
Në vitin 2000, Shaban Trstena në mënyrë të dyfishtë shpallet “Sportist i Shekullit” i Maqedonisë dhe i hapësirës mbarëshqiptare, ndërsa nga shteti i Maqedonisë gëzon një rrogë në vlerë prej 500 euro, por sadisfaksioni më i madh për të është botimi i librit më autentik dhe më kuptimplotë dedikuar veprimtarisë jetësore dhe sportive të tij: “Libër në të cilin bëhet një përshkrim faktik historik i ëndrrave, sfidave, synimeve dhe arritjeve të mia si sportist i mundjes që pata fatin të dalë nga Shkupi dardan, i cili prej shumë kohësh ka qenë qendër e ngjarjeve dhe kthesave të mëdha historike, sikurse ka qenë edhe vend që ka nxjerrë personalitete të shquara shqiptare të përmasave planetare, siç ishte Nënë Tereza”, thotë Shaban Trstena.
Në shenjë nderimi të figurës së tij, një palestër në Shkup mban emrin e sportistit të shekullit të Maqedonisë, por edhe sportistit më të suksesshëm mbarëshqiptar. /tesheshi.com/