Skuadra romane regjistroi një tjetër fitore, duke mundur mbrëmë Sassuolo-n 0-2 në transfertë.
Roma dhe Sassuolo u ndeshën në të parin takim të javës së njëzet e tretë të kampionatit italian. Miqtë e nisën mirë ndeshjen, duke e konkretizuar dominimin në fushë përmes Mohamed Salah-ut, që realizoi një gol të bukur nga distanca. Përkundër insistimit të vendasve që t’i ndryshojnë shifrat brenda 45 minutave të pjesës së parë, rrjetat heshtën, dhe skuadrat shkuan në pushim me rezultatin e vendosur në minutën e 11-të.
Në fraksionin e dytë të lojës, vendasit kishin një mundësi të artë për ta barazuar rezultatin, mirëpo sulmuesi Domenico Berardi nuk arriti të shënojë nga pika e bardhë e 11-metërshit vetëm dy minuta para rënies së bilbilit të fundit.
Edhe pse me një lojtar më pak, Roma e thelloi rezultatin në momentet përfundimtare, me një gol të shënuar nga El Shaarawy.
Roma mban aktualisht vendin e katërt në renditje, ndërsa sonte luhen takimet e tjera të kësaj jave. /tesheshi.com/