Biankonerët triumfuan në duelin kryesor të kësaj jave, përballë Romës. Në një ndeshje të kontrolluar nga vendasit, të vetmin gol e shënoi argjentinasi i ardhur këtë sezon në Torino, Paulo Dybala.
Juventus vazhdon të jetë i pandalshëm në kampionatin italian të futbollit. Të përzgjedhurit e Masimiliano Alegrit regjistruan fitoren e njëmbëdhjetë radhazi. Rezultati 1-0 reflekton momentin e jashtëzakonshëm të torinezëve, që nuk kanë të ndalur, e po ashtu lëngatën e gjatë të Romës, që nuk po e merr veten as me ardhjen e Spaletit si trajner.
Mjaftoi një gol i Paulo Dybala-s në fundin e ndeshjes që “Zonja e Vjetër” të mbetet në pjesën e epërme të klasifikimit, me dy pikë prapa Napolit, që kryeson kampionatin. /tesheshi.com/